Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Metën dhe Berishën i kemi mundur edhe bashkë, dhe veç e veç


Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ka komentuar aleancën e mundshme Berisha-Meta në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Duke folur para socialistëve, Veliaj u shpreh se PS-ja ka treguar se i mund edhe bashkë, edhe veç e veç Sali Berishën dhe Ilir Metën.

“Ka shumë njerëz që pyesin: Kush do kandidojë kundër nesh në pranverën e vitit tjetër? Po a ka rëndësi kjo? Njerëzit thonë mos kandidon Ilir Meta? Unë u përgjigjem: Ishalla! E dimë se ai nuk është nga ata burra që e mban fjalën, por them ishalla kandidon! Ne i kemi mundur edhe Ilirin, edhe Saliun; i kemi mundur edhe veç e veç, i kemi mundur edhe të dy bashkë, prandaj s’na intereson fare! Ne na nxjerr faqebardhë fakti se bëjmë llogaritë tona, prandaj në këtë periudhë do të rigjenerojmë partinë tonë.”- tha Veliaj gjatë takimit me socialistët e Njësisë 3.

Ai komentoi edhe rikthimin e Berishës në krye të PArtisë Demokratike, duke e konsideruar këtë një lajm të keq për demokratët por edhe për Shqipërinë.

“Është e rëndësishme që edhe të rinjtë që do të votojnë për herë të parë ta dinë historinë, ta dinë kush i mori në qafë shqiptarët me piramidat dhe pse rikthimi i Saliut, në fakt, është lajm i keq për Shqipërinë dhe për opozitën. Mund të jetë lajm i mirë përkohësisht për ne, por nuk është e shëndetshme për vendin, kur njerëz non-grata drejtojnë opozitën.”– tha ai.