Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke e akuzuar atë se po fsheh të vërtetën përpara shqiptarëve.
Reagimi i Zhupës vjen vetëm një ditë pasi kreu i qeverisë publikoi një sqarim të gjatë për projektet në Sazan dhe Zvërnec, ku këmbëngulte se zona “Pishë Poro-Nartë” nuk ka ndryshuar asnjëherë kategori që prej vitit 2004 dhe se standardet mjedisore nuk janë prekur.
Sipas deputetes demokrate, argumenti i Ramës për emërtimet formale është thjesht një përpjekje për të shmangur thelbin e problemit, i cili qëndron te tjetërsimi i plotë i filozofisë së ruajtjes së territorit.
“Edi Rama gënjen kur thotë se në zonat e mbrojtura nuk ka ndryshuar asgjë nga ligji i 2024, edhe për peizazhet e mbrojtura. E vërteta është se Ligji nr. 21/2024 ndryshoi pikërisht filozofinë e mbrojtjes së tyre dhe hapi rrugën për ndërtime e zhvillime që më parë ishin të kufizuara. Në ligjin e ri është hequr logjika e ndalimit. Janë fshirë konceptet e “kufizimit, eliminimit dhe parandalimit” të aktiviteteve të papërshtatshme dhe në vend të tyre është futur ideja e lejimit të ndërhyrjeve urbane, turistike dhe ekonomike brenda zonave të mbrojtura,” – deklaroi Zhupa.
Zhupa vuri në dukje se nisma ligjore e vitit 2024 ka prekur edhe vetë përkufizimin e “Peizazhit të Mbrojtur”, duke mos e trajtuar më atë thjesht si një hapësirë mjedisore që duhet konservuar, por si një truall që krijon mundësi për agroturizëm dhe aktivitete të tjera ekonomike.
Ajo denoncoi faktin se ligji i ri ia kalon kompetencat ekskluzive qeverisë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) për të vendosur përmes akteve administrative se çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet, duke bërë që kufijtë e mbrojtjes të mos burojnë më nga ligji, por nga vullneti politik i ekzekutivit.
Sipas saj, mbrojtja e mjedisit tashmë ka mbetur vetëm në letër, ndërsa në praktikë hapësira për ndërtime është zgjeruar aq ndjeshëm sa po lejon depërtimin e betoni në territore që dikur konsideroheshin të paprekshme.
“Nuk është rastësi që edhe Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e këtyre ndryshimeve dhe rikthimin e një mbrojtjeje reale për zonat e mbrojtura. Kur një shqetësim ngrihet edhe në nivel europian, askush nuk mund të pretendojë se problemi nuk ekziston… Pikërisht për këtë arsye, më 14 maj kam depozituar në Kuvend propozimin për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024 dhe rikthimin e garancive që mbrojnë natyrën nga betonizimi dhe interesat afatshkurtra,” – nënvizoi përfaqësuesja e opozitës.
Në mbyllje të reagimit të saj, Zhupa i dërgoi një mesazh të prerë shumicës socialiste, duke u shprehur se edhe pse mund ta mbajnë nismën e saj të bllokuar në sirtarë, koha e tyre po mbaron pasi zëri qytetar dhe protestat për mbrojtjen e pasurisë kombëtare publike po bëhen çdo ditë e më të fuqishme.
