Vendosni fjalën kyçe....

Franca nuk merr më gaz nga tubacioni rus


Fluksi i gazit nga Gjermania në Francë është ndalur, raportoi të premten operatori francez i sistemit të transmetimit të gazit GRTgaz, duke shtuar se kombi nuk kishte marrë asnjë gaz natyror nga Rusia nëpërmjet tubacionit që nga 15 qershori.

Operatori tha gjithashtu se objektet franceze të magazinimit të gazit ishin mbushur në 56% të kapacitetit, nga 19% në mes të marsit, duke theksuar se Franca nuk do të përballet me ndonjë vështirësi në përmbushjen e kërkesës së verës për gaz.

Në fillim të kësaj jave, gjiganti rus energjetik Gazprom paralajmëroi se do të shkurtonte ndjeshëm furnizimet e tij të gazit në Evropë për çështje teknike që rrjedhin nga sanksionet perëndimore.

Kompania tha se operatori gjerman i pajisjeve energjetike Siemens Energy dështoi të kthente njësitë e riparuara të pompimit të gazit për tubacionin Rrjedha e Veriut nga një objekt mirëmbajtjeje në Kanada për shkak të embargos së vendit ndaj Rusisë.

Franca merr gati 17% të gazit të saj nga Rusia përmes lidhjeve të rrjetit me Gjermaninë, e cila mbështetet shumë në furnizimet ruse me energji. Ndërprerja e dërgesave të gazit rus në Francë pason pakësime të ngjashme në furnizimin e Gazprom në Gjermani dhe Itali.

Importuesit evropianë të gazit rus e kanë dënuar veprimin e Gazprom si ‘politik’”, duke thënë se Kremlini përdor energjinë për të ndëshkuar vendet anëtare të BE-së për mbështetjen e Ukrainës.

Furnizimet e gazit rus në Evropë përmes tubacionit Nord Stream thuhet se janë pakësuar me 60% këtë javë, duke rritur çmimet e karburantit. Të enjten, çmimet holandeze të gazit me shumicë, standardi evropian, u rritën në më shumë se 1500 dollarë për mijë metra kub për herë të parë që nga prilli.