Vendosni fjalën kyçe....

Belind Këlliçi padit Evi Kokalarin për shpifje dhe fyerje


Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka paditur në Gjykatën e Tiranës për shpifje dhe fyerje Evi Kokalarin.

Këlliçi shprehet se Kokalari me gjuhë linçuese ka hedhur në drejtim të tij akuza nga më absurdet në rrjetet sociale dhe në mesazhe me persona të tjerë.

Sipas Këlliçit, Kokalari ka mllef, xhelozi dhe urrejtje për të rinjtë e Partisë Demokratike.

Sulmet e bëra nga Kokalari nuk janë të befta sipas Këlliçit, por janë gatuar që në “Foltoret” që organizonte Sali Berisha.

Prej shumë ditësh, publikisht, jam sulmuar nga Zj. Evis Kokalari, me gjuhë më linçuese se ajo e kundërshtarëve tanë politikë. Janë hedhur drejt meje akuza të shumta nga më absurdet, të cilat qëndrojnë në gojën e Zj. Kokalari dhe në faqen e saj në rrjetin social Facebook.

Duke njohur së brendshmi situatën politike në Partinë Demokratike dhe rrugëtimin tonë të vështirë për të dalë nga përplasjet e muajve të fundit, kam qëndruar i heshtur për t’i dhënë hapësirën Zj. Kokalari t’i japë zë të gjithë mllefit, xhelozisë dhe urrejtjes për të rinjtë në Partinë Demokratike.

Ky sulm nuk është i beftë. Gatitej që nga koha kur në Foltoret e nismuara nga Doktor Berisha, përpos Zj. Kokalari, u pozicionuan të rinjtë e FRPD; mes tyre edhe unë.

Kam zgjedhur të mos i përgjigjem me “dazibao” akuzave dhe me komente Facebooku, prandaj sot, në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kam depozituar një padi kundër personit në fjalë, për shpifjet, fyerjet dhe mesazhet telefonike të shpërndara prej saj”-shkruan Këlliçi.

Kujtojmë se Kokalari ka krijuar një distancë edhe me Sali Berishën me zgjedhjen e tij në krye të PD-së duke e konsideruar se fryma e tij nuk çoi partinë drejt konsolidimit të konservatorizmit të ngjashëm me atë në SHBA.

Gjithashtu, Kokalari është përplasur edhe me gazetarin Elvi Fundo, duke shkëmbyer mesazhe dhe replika në distancë apo edhe të drejtpërdrejta siç dhe janë publikuar në rrjetet sociale.

Ndër të tjera në sms-të e shkëmbyera shihen sulmet që kërkon të bëjë Kokalari në drejtim të Këlliçit për të cilin lobonte që të mos zgjidhej në instancat drejtuese të PD-së së Rithemeluar.