Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria përfundon hetimet për Klodian Çalamanin: E provuar se ai e përdhunoi 8-vjeçarin, më pas e vrau me kazmë e lopatë


Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Klodian Çalamanin, i cili akuzohet për përdhunimin, vrasjen dhe groposjen e fëmijës 8-vjeçar.

Prokuroria thotë se ka arritur të provojë që Çalamani e ka përdhunuar më parë 8-vjeçarin dhe më pas e ka vrarë duke e qëlluar me sende të forta si kazmë dhe lopatë.

“Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të ‘Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit’ të parashikuar nga neni 79 germa ‘a’, ka konsumuar fillimisht veprën penale të ‘Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal.”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në nëntor të vitit 2021.

NJOFTIMI I PROKURORISË

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim të pandehurin Klodian Çalamani i akuzuar për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga nenet 100/2 dhe 79 germa “a” të K.Penal.

Nga hetimet paraprake rezultoi e provuar se në datën 16.11.2021 babai i M.V., ka bërë kallëzim penal rreth orës 14:58 pasi është njoftuar në telefon nga bashkëshortja se djali i mitur nuk ka ardhur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e tij, duke dhënë dhe karakteristikat e fëmijës dhe veshjen e tij.

Menjëherë pasi është marrë kallëzimi penal Nr.1262, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë shkuar në fshatin Grecalli, ku kanë kryer verifikime dhe kontroll territori.

Është bërë identifikimi i biçikletës që përdorte viktima dhe ka rezultuar se një të tillë e dispononte i dyshuari K. Çalamani banor i këtij fshati, i cili e kishte banesën rreth 100 m larg banesës së të miturit.

Gjatë kontrollit të banesës është dalluar një pjesë toke e punuar ku pas gërmimit u gjet trupi pa jetë i viktimës.
Në këto kushte, është bërë prangosja dhe shoqërimi i të dyshuarit K. Çalamani.

Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga neni 79 germa “a”, ka konsumuar fillimisht veprën penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal.

Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta kazmë e lopata.