Vendosni fjalën kyçe....

Rama do të vizitojë Kievin, bashkë me të edhe Abazoviç dhe Kovaçevski


Kryeministri Edi Rama do të jetë një nga liderët e parë të Ballkanit Perëndimor që do të vizitojë Ukrainën, që pas shpërthimit të luftës me Rusinë.

Rama mësohet se do të fluturojë drejt Kievit dhe bashkë me të do të jenë edhe dy liderë të tjerë të Ballkanit, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç si dhe ai i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Zelenski e ftoi Abazoviçin të vizitojë Kievin në një bisedë telefonike të enjten.

“Siç ka paralajmëruar, Abazoviç do të nisë idenë e një vizite të përbashkët në Kiev me kryeministra të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga vendet e NATO-s në rajon, në mënyrë që të dërgojë një mesazh më të fortë dhe unik të mbështetjes nga Ballkani Perëndimor ndaj sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës.”– njoftoi dje Zyra e Kryeministrit të Malit të Zi.

Gazeta Vijesti, shkruan se kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e kanë pranuar idenë e Abazoviçit dhe mbetet të bihet dakord për një datë.

Në një bisedë me Zelenskyn, Abazovic theksoi se Mali i Zi ka ofruar mbështetje të hapur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës që në fillim.

“Ai theksoi se vlerat evropiane të lirisë dhe e drejta për zgjedhjen e dikujt mbrohen sot jashtë kufijve të Bashkimit Evropian dhe se Mali i Zi mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës.”- thuhet në deklaratë.

Abazovic tha gjithashtu se shpreson që Ukraina të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe se Mali i Zi, si lider në procesin e negociatave, është i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme eksperte dhe politike.

Gjatë bisedës telefonike, ai e ka informuar presidentin e Ukrainës për numrin e refugjatëve ukrainas që ka pranuar Mali i Zi dhe ka deklaruar se bëhet fjalë për rreth dy për qind të popullsisë.