
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Bournias, në rajonin e Messinia, ku një shtetas shqiptar është gjetur i pajetë brenda një stalle, duke ngritur dyshime të forta për vrasje.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është një 44-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili është konstatuar me një plagë në kokë të shkaktuar nga armë zjarri, dyshohet një pushkë gjuetie. Autoritetet greke bëjnë me dije se arma e krimit nuk është gjetur ende në vendngjarje.
Trupi i pajetë është zbuluar nga një çift që e kishte strehuar përkohësisht viktimën, një 47-vjeçar shqiptar dhe një grua greke 50-vjeçare, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë.
Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetuesit po mbledhin prova materiale dhe po verifikojnë pamjet e kamerave të sigurisë nga bizneset përreth, me qëllim identifikimin e autorit.
Zona ku ndodhi krimi është pak e populluar dhe karakterizohet nga toka bujqësore dhe stalla, çka e vështirëson hetimin. Deri më tani, tre persona janë marrë në pyetje nga policia në lidhje me këtë rast.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.