Ashtu sikurse kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama, qeveria ka ofruar një milion euro ndihmë financiare për Ukrainën.
Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ndihmën për Ukrainën e premtoi që më 5 maj në Konferencën e Donatorëve në Varshavë.
“Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro.
E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës e të rindërtimit, por jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës Kryeministrave të Polonisë e të Suedisë që na bënë pjesë të saj. Deri në fund ne do të bëjmë më të mirën për të nderuar detyrimin tonë ndaj miqve tanë Ukrainas dhe popullit ukrainas, duke synuar sigurisht atë çka të gjithë këtu synojnë, që të kemi një fund të kësaj lufte e të shohim paqen të mbërrijë sa më shpejt të jetë e mundur. Faleminderit shumë.”– shprehej Rama.
VENDIMI I QEVERISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e ndihmës financiare humanitare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Ukrainës, në shumën 1 000 000 (një milion) euro.
Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, llogaria ekonomike 605, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 000 000 (një milion) eurosh.
Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.
Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.