Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhi i Begajt në takimin me ish-presidentët: Nder për mua që të kem këshilltarë si ju


Paraditen e sotme presidenti i ardhshëm Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me ish-krerët e shtetit Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.

“Balkanweb” ka publikuar mesazhin që Begaj dha sot në takimin me paraardhësit e tij.

Ai ka thënë se “mësimet e vyera” të atyre që kanë qenë më parë në Presidencë do t’i mbajë parasysh.

“Unë dëshiroj që kështu, së bashku, të kuvendojmë vëllazërisht për punët dhe sfidat e atdheut tonë. Koha kalon shpejt, askush nuk është i përjetshëm dhe asnjë detyrë shtetërore nuk është e pafundme. Por mësimet e vyera të atyre që kanë kaluar më parë nga rruga jonë duhen mbajtur parasysh sa më mirë dhe kur ke fatin që t’i kesh pranë ata, atëherë mund të gabosh më pak. Eshtë një nder i madh për mua që të kem këshilltarë të tillë.”– ka thënë Begaj.

Takimi mes Begajt dhe tre ish-presidentëve u mbajt në Pallatin e Brigadave.

Ky takim vjen disa ditë pasi Begaj është zgjedhur si President i Shqipërisë. Ai u propozua nga Partia Socialiste dhe u votua në Parlament me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, duke marrë kështu edhe një votë nga opozita.