Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Peleshi: U neutralizuan vatrat e zjarrit në Sazan dhe në Mirditë, bëri punë dhe avioni i sjellë nga Greqia


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka njoftuar se pas ndërhyrjes nga ajri me avionin e Candair të ardhur nga Greqia, është bërë e mundur neutralizimi i vatrave të zjarrit në ishullin e Sazanit dhe në Mirditë.

Në një postim në Facebook, ministri Peleshi thotë se për neutralizimin e zjarrit në këto dy vatra u angazhuan 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete dhe 2 anije.

“Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit dhe Mirditë.

Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit, pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri. 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete, 2 anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët. Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri. Forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll, ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë.

Ndërkaq 54 efektivë të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës. Në operacionin që u finalizua në një kohë të shpejtë u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.”- tha ministri.

Ai ka publikuar edhe një video nga operacioni. Peleshi u bëri thirrje qytetarëve dhe turistëve që këtë sezon të bëjnë kujdes, pasi kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident.

Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara dhe u bën thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident.

Falenderime të përzemërta Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për mbështetjen, shtetit fqinj Greqisë për përgjigjen në kohë rekord me avionin Canadair.”– shkruan ministri Peleshi.