Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi dhe Rama nxjerrin pamjet: Kreu i emergjencave me ekspertë zjarresh me helikopter mbi Sazanin në flakë për të monitoruar


Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zjarret në ishullin e Sazanit. Ai ka publikuar një video nga operacioni për shuarjen e flakëve, ndërsa ndan edhe një mesazh të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi.

Sipas kryeministrit po bëhet një rikontroll nga ajri i vatrave të zjarrit. Ai iu përgjigjet kritikëve se zjarre ka aktualisht edhe rrotull Athinës, apo në vende të tjera si Turqia apo Spanja.

Videoja e publikuar nga Rama është publikuar edhe nga ministri Niko Peleshi, i cili shkruan se në këto momente Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako, i shoqëruar nga ekspertë zjarresh janë duke u kryer një rikonicion nga ajri mbi ishullin e Sazanit për të vlerësuar nevojën e ndërhyrjeve të mëtejshme. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit janë shtuar trupat e ndërhyrjes nga toka të cilët kanë krijuar breza të shpyllëzuara rreth vatrave të zjarrit.

“Sazan – Rikonjicion nga ajri i vatrave të zjarrit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi:

‘Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.

I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka, duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre…

Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.’

Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe…”– shkruan Rama.