Vendosni fjalën kyçe....

“Nuredini ka thënë se Meta ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit të PS-së”- SPAK reagon pas deklaratës së gazetarit Artan Hoxha



Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka reaguar pas deklaratës së fortë të bërë mbrëmjen e kaluar nga gazetari Artan Hoxha në emisionin “Opinion”.

Ai shprehej se i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka rrëfyer para hetuesve “se Ilir Meta porositi vrasjen e vëllait të deputetit”.

Mirëpo SPAK e ka përgënjeshtruar këtë.

“Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.”– thotë SPAK.

SPAK fton mediat që të jenë të kujdesshme dhe të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe thekson faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak.

Ky reagim vjen pasi mbrëmjen e kaluar gazetari Artan Hoxha deklaroi në emisionin “Opinion” se në një nga dëshmitë e tij Nuredin Dumani ka thënë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka.

Hoxha thotë se në dëshminë e tij thuhet se Dumanit i kishte thënë një person i përfshirë në vrasje se Meta ka porositur vrasjen e Aleksandër Ndokës në vitin 2017.

“Nuredin Dumani ka shkuar deri aty sa ka thënë që një nga 3 personat më të fuqishëm sot në vend politikanë ka porositur vrasje për të vrarë vëllain e një deputeti. Vrasja është bërë. Këto jam dëshmi që duhen verifikuar. Unë kam rezerva.

Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2017 para fushatës elektorale në qarkun e Lezhës. Pas fushatës atje ka ndodhur vrasja e një përfaqësuesi politik të mazhorancës. Ka qenë edhe në këshillin bashkiak, është ekzekutuar. Por sipas Dumanit, kjo vrasje është porositur nga një politikan i rëndësishëm.

Pra ishte vëllai i një deputeti të PS-së. Nëse kjo del e vërtetë kjo është shumë e rëndë. Dumani thotë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti në Lezhë.”-deklaronte Hoxha.

Reagimi i plotë i SPAK:

Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se:

Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit).