Vendosni fjalën kyçe....

Rriten çmimet e naftës pas embargos së BE-së


Çmimet e naftës kanë arritur nivele të reja pasi mbrëmë liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord për ndalimin e importit të naftës ruse.

Siç shkruan BBC, nafta e papërpunuar Brent u rrit mbi 123 dollarë për fuçi të martën, çmimi më i lartë për këto dy muaj.

Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur në muajt e fundit, të nxitura pjesërisht nga lufta në Ukrainë. Nafta e papërpunuar Brent është rritur më shumë se 70% gjatë vitit të kaluar.

Rusia aktualisht furnizon 27% të naftës së importuar të BE-së dhe 40% të gazit të saj, dhe çmimet e naftës u rritën sërish pas lajmeve për embargon e fundit të BE-së.

Russ Mould, drejtor investimesh në AJ Bell, tha se çmimet po rriteshin sepse vendet evropiane tani duhet të gjejnë burime alternative të furnizimit.

Ndërkohë, rritja e kostos së jetesës kërcënon të pakësojë “oreksin” e disa vendeve të BE-së për sanksione të mëtejshme, të cilat mund të dëmtojnë gjithashtu ekonomitë e tyre.