Vendosni fjalën kyçe....

Në makinë me emigrantë të jashtëligjshëm në Fushë Krujë, arrestohet 20-vjeçari nga Kukësi


Një 20-vjeçar është arrestuar sot nga Policia pasi akuzohet se transportonte emigrantë të jashtëligjshëm me automjetin e tij kundrejt përfitimit.

Policia thotë se i riu u kap në afërsi të fshatit Luz në Fushë-Krujë. I riu është banues në Kukës.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Luzi 2’.

Gjatë këtij operacioni, në fshatin Luz, Fushë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 20 vjeç, banues në Kukës.

Në automjetin që po drejtonte ky shtetas ishin pasagjerë 2 emigrantë të paligjshëm, të cilët 20-vjeçari po i ndihmonte, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë.