Vendosni fjalën kyçe....

“Keni zaptuar foltoren” – Felaj nuk i jep fjalën Berishës, seanca mbyllet me debate


Është mbyllur me debate seanca e sotme plenare.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar fjalën për replikë pas fjalimit të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila recitoi një poezi kundër tij.

Ai u ngrit në foltore për të marrë fjalën, mirëpo nënkryetarja e Parlamentit Ermonela Felaj e cila po drejtonte seancën nuk ia ka dhënë fjalën.

“Keni zaptuar foltoren pa ju dhënë fjala. I kërkova teknikës që të fikë mikrofonin. Tani më ngelet vetëm t’iu kërkoj shërbimeve të gardës që z. Berisha të lirojë foltoren.”- tha Felaj.

Berisha ka vijuar të flasë me mikrofon të fikur dhe më pas u largua nga foltorja.

Arsyeja pse Berisha donte të merrte fjalën, ishte për shkak të një poezie që ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali,  i recituar atij  nga foltorja.

Spiropali recitoi poezinë e Luan Myftiut “Monologu i Pendesës” e shkruar në vitin 2001, pasi poeti vuajti dënimin në Burgun e Spaçit. Spiroapli tha se kjo poezi ishte për “sojin më të ligë të komunistit” që është anti-komunist, duke iu referuar kështu Berishës.

 “Luan Myftiu, në moshë të vogël, komunistët i pushkatuan babain. E ëma e tij, nga tronditja, përfundoi në spital, duke lënë fëmijët të vetëm. Më vonë, atë e dënuan për propagandë. Kreu dënimin në Spaç dhe doli me ardhjen e demokracisë dhe u vendos në Tiranë.

Më 2001 shkroi poezinë e tij emblematike, ‘Monologu i pendesës’, për zhgënjimin e tij më të madh, për dëshpërimin dhe për sojin më të lig të komunistit, që është komunisti anti-komunist.

Unë vetëm po e lexoj për ju: ‘Të besuam, të zgjodhëm, votuam për ty. Ti na rrahe, na shave, na ndave në dy. Ne u ngritëm të hiqnim nga zverku ty djall, ti na rrope, na dogje, në dhe po na kall.

Je pashpirt, hipokrit, pabesinë ke moral, sa dhe shokët mohon. Je mashtrues, se të mburr kur të bën fukara, ta lë fajin në derë, je pacipë, maskara. Je një horr, të grabit sy ndër sy dhe pa turp të bën qorr. Për kolltuk del nga varri lugat, që të jesh po ti Zot, s’le shenjtor pa mëkat’.”– deklaroi Spiropali.

Ky recitim e irritoi Berishën që kërkoi fjalën për replikë, mirëpo drejtuesja e seancës Ermonela Felaj nuk ia dha atij fjalën.