Vendosni fjalën kyçe....

Grupi i PD-së: Ne jemi të angazhuar për një proces gjithëpërfshirës, por Rama nuk do një President të gjithë shqiptarëve


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka dalë me një deklaratë për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.

Përmes kësaj deklarate, grupi i Enkelejd Alibeajt thotë do të mbetet i angazhuar në vullnetin e tij për një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Grupi Parlamentar i PD mbetet i angazhuar në vullnetin e tij për nje proces gjithëpërfshirës dhe konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Shqiptarët meritojnë një President të gjithëpranuar, që i shërben interesit publik dhe jo interesit të pushtetit të Edi Ramës.”- thuhet në komunikatën e shpërndarë për mediet.

Grupi i PD-së megjithatë akuzon maxhorancën se ka shkelur marrëveshjen e bërë për përzgjedhjen e Presidentit, duke konfirmuar sipas tyre se kryeministri Edi Rama nuk do një President të gjithë shqiptarëve dhe se “përbetimet e tij publike” për konsensus me opozitën janë një mashtrim.

Deklarata e Grupit të Alibeajt:

Sipas frymës së Kushtetutës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u angazhua seriozisht në ndërtimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual për përzgjedhje e Presidentit të Republikës. Kur morëm vendimin për ndërtimin e një procesi gjithëpërfshirës ishim të ndërgjegjshëm që regjimi i Edi Ramës kishte paracaktuar emrin e Presidentit dhe se qëndrimi i tij publik se dëshiron një President konsensual me opozitën ishte fasadë dhe mashtrim.

Detyrimi ndaj qytetarëve kërkonte që opozita të përmbushte përgjegjësinë e saj me seriozitet dhe përkushtim me qëllim që Presidenti i ardhshëm të jetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ky nuk ishte vullneti i Edi Ramës, njeriut që pasi vjedh zgjedhjet, kap me votat e nongratave të tij në Kuvend çdo institucion të pavarur.

Tërheqja e Partisë Socialiste nga marrëveshja për ndërtimin e një procesi të përbashkët parlamentar për zgjedhjen e Presidentit, provoi atë që Grupi Parlamentar i PD paralajmëroi që në nisje, që Edi Rama nuk do një President të gjithë shqiptarëve dhe përbetimet e tij publike për konsensus me opozitën janë një mashtrim.

Grupi Parlamentar i PD mbetet i angazhuar në vullnetin e tij për nje proces gjithëpërfshirës dhe konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Shqiptarët meritojnë një President të gjithëpranuar, që i shërben interesit publik dhe jo interesit të pushtetit të Edi Ramës.