Vendosni fjalën kyçe....

FMN: Qeveria shqiptare të rrisë ndihmën për shtresat në nevojë, rritja ekonomike 3% këtë vit


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një skaner të situatës ekonomike aktuale në vend.

Në deklaratë, FMN-ja ka theksuar ndikimin e madh që ka pasur lufta në Ukrainë në rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.

FMN-ja thotë se qeveria duhet të vijojë të mbështesë shtresa e varfra dhe të zgjerojë ndihmën e tyre.

Ndërkohë FMN-ja e sheh pozitive që qeveria nuk ka reaguar në uljen e taksave deri më tani duke thënë se kjo bën që të mos thellojë hendekun.

Rritjen ekonomike FMN-ja e parashikon që të jetë 3 për qind dhe të mbështetur më së shumti te turizmi dhe ndërtimi.

Deklarata e plotë:

“Rritja e theksuar e ҫmimit të energjisë dhe ushqimeve si edhe rritja e kostove të financimit të jashtëm për shkak të luftës në Ukrainë, përfaqësojnë goditjen e tretë për ekonominë e Shqipërisë në vitet e fundit. Rritja ekonomike në vitin 2022 parashikohet të jetë rreth 3 për qind, e mbështetur nga turizmi dhe ndërtimi, por e zbehur nga ndikimi i çmimeve në rritje. Inflacioni është rritur ndjeshëm mbi objektivin prej 3 për qind të bankës qendrore, duke u kthyer në inflacion me bazë të gjerë. Pritet që inflacioni të mbetet në nivele të larta gjatë muajve në vijim—nxitur nga çmimet e importit—përpara se të kthehet sërish brenda objektivit në fillim të vitit 2024, duke pasqyruar ndikimin e shtrëngimit të politikës monetare.

“Autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj goditjes së fundit dhe disa prej masave mbështetëse të marra janë të mirëorientuara dhe të kufizuara në kohë. Autoritetet kanë marrë një vendim të drejtë që kanë shmangur uljet e përkohshme të taksave, të cilat i sjellin përfitime në mënyrë të zhdrejtë atyre që janë më mirë ekonomikisht, mund të shtrembërojnë sinjalet e çmimeve, janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u zhbërë. Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirëorientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve. Për këtë arsye, pëpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal.

“Buxheti i vitit 2022 (siҫ u rishikua në mars) ka hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë. Prandaj, çdo e ardhur shtesë përtej ҫfarë parashikohet në buxhet, duhet kursyer për të rikrijuar hapësirat e nevojshme për ushtrimin e politikës fiskale. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi kostot e financimit të jashtëm janë rritur ndjeshëm dhe mund të jenë për gjatë të larta. Sektori publik duhet të përgatitet të veprojë në kushte të jashtme më të shtrënguara. Shtesa në mbështetjen e përkohshme për shtresat në nevojë, si dhe kostot e rritura për prokurimet ose punët publike, për shkak të ngritjes së çmimeve, duhen mbajtur brenda nivelit ekzistues të shpenzimeve të buxhetit përmes rishpërndarjeve.

“Një konsolidim i besueshëm afatmesëm që bazohet në kahun e të ardhurave është tashmë edhe më i rëndësishëm për rindërtimin e hapësirave fiskale që praktikisht janë shfrytëzuar në pjesën më të madhe. Borxhi publik dhe veҫanërisht nevojat për rifinancim duhet të ulen për aq kohë sa ekonomia vazhdon të shënojë rritje. Ne e mirëpresim angazhimin e qeverisë për zbatimin e rregullave aktuale fiskale, përfshi këtu dhe arritjen e një bilanci primar të paktën zero deri në vitin 2024. Në këtë kuadër, puna për përgatitjen dhe zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (SAA) duhet të vazhdojë.

Ne përgëzojmë nismën e ndërmarrë nga qeveria me mbështetjen e FMN-së, për forcimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që synon thjeshtimin, rritjen e efikasitetit dhe barazi më të madhe mes tatimpaguesve të cilët fitojnë lloje të ndryshme të ardhurash. Përpjekjet e qeverisë për forcimin e administrimit të të ardhurave duhet të vijojnë pa asnjë vonesë. Ne ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor.

“Trazirat në tregjet energjetike globale kanë rënduar më tej barrën fiskale që vjen prej sektorit të energjisë elektrike dhe theksojnë nevojën urgjente për reforma vendimtare për t’i kthyer qëndrueshmërinë financiare ndërmarrjeve shtetërore. Përveç kësaj, nevojiten ndryshime graduale të tarifave, të cilat duhet të shoqërohen me masa që mbrojnë shtresat e varfëra dhe në nevojë.

“Ne e mbështesim vendimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare dhe vëmë re se ajo mbetet lehtësuese, pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit në mars. Për të frenuar trysnitë e brendshme inflacioniste dhe për të kthyer pritshmëritë për inflacionin sërish drejt objektivit, nevojiten rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit. Kërkohet vigjilencë, pasi vonesa e tepruar në shtrëngimin e politikës monetare mund të kërkojë më vonë rritje më të larta të normës bazë për të kthyer inflacionin në objektiv. Strategjia mbi kohën dhe masën e shtrëngimit të politikës monetare duhet të komunikohet qartë në mënyrë që të ruhet besueshmëria e bankës qendrore dhe që të ankorohen pritshmëritë për inflacionin.

Sistemi financiar deri tani ka reaguar mirë ndaj goditjeve, i mbështetur nga këmbëngulja e Bankës së Shqipërisë në forcimin e kuadrit rregullator dhe mbikqyrës. Ndërkohë që kushtet monetare shtrëngohen, vigjilenca e vazhdueshme do të jetë thelbësore për të monitoruar ndjeshmërinë e bilanceve të bankave ndaj kredive me norma interesi variabël, si dhe ndryshimit të çmimit të letrave me vlerë të qeverisë. Ne përgëzojmë përpjekjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të forcuar rezervat e kapitalit.