Vendosni fjalën kyçe....

“Sanksionet kundër Rusisë do shkaktojnë kriza globale të ushqimit dhe energjisë” – Kina


Fushata e sanksioneve perëndimore për të ndëshkuar Rusinë për konfliktin në Ukrainë do të ketë efekte të rënda mbrapsht, duke shkaktuar vuajtje në mbarë botën e për më tepër nuk do e nxisë paqen në ish-republikën sovjetike, i ka thënë një diplomat i lartë kinez Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dai i bëri komentet e tij ndërsa Këshilli i Sigurimit u mblodh për të diskutuar krizën humanitare të shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë.

Edhe pse ai foli gjithashtu për përpjekjet për të ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve të prekur nga luftimet, të tilla si nxitja e Rusisë dhe Ukrainës që të punojnë së bashku për të mundësuar më shumë evakuime civile, ai tha se e vetmja zgjidhje e vërtetë është një marrëveshje paqeje e negociuar.

“Sanksionet nuk do sjellin paqe, por vetëm do të përshpejtojnë përhapjen e krizës, duke shkaktuar kriza gjithëpërfshirëse ushqimore, energjitike dhe financiare në të gjithë globin.” – tha zëvendësambasadori kinez në OKB Dai Bing të enjten në Nju Jork. Ai shtoi se vazhdimi i vendosjes së sanksioneve ndaj Moskës do i detyrojë fëmijët në mbarë botën të ‘vuajnë pasojat e hidhura’.

“Arritja e paqes është mbrojtja më e mirë për fëmijët.” – tha Dai.

“Dialogu dhe negociatat janë mënyra më e vërtetë dhe më e mundshme për të arritur një armëpushim dhe për të ndalur luftën. Komuniteti ndërkombëtar duhet të nxisë Rusinë e Ukrainën që të kthehen në rrugën e negociatave dhe të sigurojnë kushtet e duhura politike për rivendosjen e paqes. Në vend që të përpiqen të detyrojnë një rezolutë përmes sanksioneve, vendet perëndimore dhe aleatët e tyre në fakt po u shkaktojnë më shumë dëm fëmijëve, veçanërisht atyre që jetojnë në vende të tilla të shkatërruara nga lufta si Afganistani, Jemeni e shumë vende në Afrikë.” – shtoi Dai.