Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Bashës: Mori vendime autokratike, njësoj me partitë marksiste-leniniste


Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar nga Fieri ish-kreun e PD-së Basha se dëmtoi partinë duke shkelur Kushtetutën e saj nëpërmjet vendimeve autokratike.

Gjatë një takimi me mbështetësit ai theksoi se vendimet e Bashës nuk i kanë marrë as partitë marksiste-leniniste.

Berisha e akuzoi Bashën për përjashtimet në PD ndërsa falënderoi demokratët për mbështetjen.

“Ish-kryetari i PD i lejoi vetes në mënyrën më autokratike, duke shkelmuar mbi Kushtetutën e partisë, statutin, duke shkelmuar edhe mbi ligjet e vendit, mbi vullnetin e anëtarësisë, i shprehur ky vullnet në Statut në forumet e saj. Mori vendime tërësisht autokratike, antidemokratike, mori vendime me të cilat nuk ndërtohet demokracia, të cilat në fakt në aparencë në mënyrë identike, nuk i marrin as partitë marksiste-leniniste, se edhe ato ndjekin një procedurë. Ngritja juaj në këmbë nuk ishte asgjë tjetër në thelb përveçse një betejë kundër autokracisë, për të vendosur normat demokratike. Ishte një betejë mes legjitimes dhe jo legjitimes, por nuk ka betejë më të rëndësishme për një shoqëri të lirë. Në rast se duam të jemi të lirë, ne duam të zbatojmë ligjet, të cilat ndër të tjera na diktojnë se liria e gjithsecilit prej nesh përfundon aty ku fillon liria e tjetrit. Ju e patë si u bëmë ne, lëshonte komunikate, përjashtohet ky, ai, shkarkohet ky e shkarkohet ai, gjithçka bëhej në mënyrë të paligjhshme. kurse ne u ngritëm së bashku kundër këtij arbitrariteti, ilegjitimiteti dhe çdo gjë që bëmë deri sot e bëmë bazuar në votën e lirë. Kjo ka rëndësi kapitale nëse nuk jemi një parti e votës së lirë, ne do të ishim fatkeqësi kombëtare për vendin.” – tha Berisha.