Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Kam ambicie që në fund të këtij mandati të kemi 10 mijë kodues në Tiranë


Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se ai ka synim që deri në fund të këtij mandati, Tirana të ketë 10 mijë kodues.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik të Tiranës, ku u diskutua mbi dixhitalizimin dhe fokusimin e të rinjve te teknologjia e informacionit.

“Në vitet 2000 ne bëmë një tranzicion nga ajo që quhet industria fason, në atë të shërbimeve, kryesisht call-center. Ndërsa sot, ky është momenti për të bërë një tjetër kapërcim, nga call-center në data-center dhe në industrinë digjitale. Në Tiranë sot kemi rreth 4600 mijë kodues. Por, ambicia ime si kryetar i Bashkisë është që në fund të këtij mandati të kemi 10 mijë kodues.

Kjo është arsyeja pse i kemi liberalizuar shkollat e inxhinierisë së softuerëve, duke nxitur të vijnë në Tiranë ‘Hoxton Academy’, ‘Holberton School’, ‘Micro Folie’, ‘TUMO Center’, ‘Ecole 42’ dhe ‘Factory Berlin’. Ambicia është që 1% e popullsisë sonë të jenë kodues profesionistë sepse kjo është puna e së ardhmes, që mund t’i bësh edhe nga shtëpia, që nuk kërkojnë të largohesh jashtë vendit, por këto janë edhe punët që paguhen më mirë.”– u shpreh Veliaj.

Më tej Veliaj u shpreh se kryeqyteti aspiron anëtarësimin në BE, por së pari sipas tij është me rëndësi që “Europën ta krijojmë këtu”.