Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Spanjë kritiku i presidentit ukrainas Zelensky


Blogeri dhe kritiku i njohur i qeverisë ukrainase, Anatoly Shariy, është arrestuar nga policia spanjolle si pjesë e një operacioni ndërkombëtar. Kështu njoftoi të enjten Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU).

Shariy u arrestua të mërkurën në një operacion të përbashkët nga policët spanjollë dhe ukrainas, si dhe nga “partnerët” ndërkombëtarë, tha SBU në një deklaratë.

Agjencia pasardhëse e KGB-së sovjetike në Kiev, tha se figura e opozitës kërkohet me akuzën e tradhtisë. Shariy akuzohet se ka shkelur sigurinë kombëtare të Ukrainës përmes aktiviteteve të tij në fushën e medias, ndërkohë që dyshohet se ka vepruar në emër të forcave “të huaja“. Çështja kundër vlogerit me gati 3 milionë abonentë në Youtube u nis në shkurt të vitit 2021.

SBU tha se arrestimi i Shariy-t “është provë se çdo tradhtar i Ukrainës herët a vonë do të marrë dënimin e tij të merituar. Është e pashmangshme”, citon RT.

Njoftimi u konfirmua edhe nga policia spanjolle, e cila tha për RIA-Novosti se Shariy u arrestua në qytetin bregdetar Tarragona më 4 maj me një urdhër arresti ndërkombëtar.

Shariy kishte marrë azil politik në BE nga Lituania në vitin 2012. Në atë kohë, ai tha se po ikte nga persekutimi i qeverisë së Viktor Janukoviç, të cilin media perëndimore e quan pro-rus.

Janukoviç u rrëzua pas grushtit të shtetit në Maidan në 2014, por blogeri mbeti një kritik i ashpër i autoriteteve në Ukrainë, qoftë Presidenti Petro Poroshenko apo pasardhësi i tij Volodymyr Zelensky.

Ai dënoi operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë pasi ai filloi në fund të shkurtit, por vazhdoi të denonconte ato që ai i shihte si të meta në sjelljen e Kievit gjatë konfliktit në vazhdim. Azili politik i blogerit u anulua nga Lituania në janar të këtij viti.