Vendosni fjalën kyçe....

Bill Gates flet për përplasjet me Elon Musk: Me të Twitter mund të jetë më keq


Dikur Bill Gates ishte njeriu më i pasur në botë. Këtë titull sot e mban Elon Musk. Megjithatë dy burrat, nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin.

Javën e kaluar, Musk e akuzoi Gates se kishte vënë bast se kompania e tij Tesla do të humbasë vlerën.

I pyetur për ofendimet e supozuara që Musk i ka bërë atij, Gates tha në një intervistë për BBC-në:

“Nuk ka nevojë që ai të jetë i sjellshëm me mua”.

Musk ka argumentuar se “shkurtimi” i Tesla, një kompani që prodhon makina elektrike, minon filantropinë mjedisore të Gates.

I pyetur konkretisht nëse kishte vënë bast kundër Teslës, Gates u përgjigj: “Kjo nuk ka të bëjë fare me ndryshimin e klimës. Unë kam mënyra për të diversifikuar.”

Ai kundërshtoi idenë se shkurtimi i Teslës ishte i dëmshëm për mjedisin. “Popullariteti i makinave elektrike do të çojë në më shumë konkurrencë për shitjen e këtyre makinave. Pra, ka një ndryshim midis makinave elektrike që po adoptohen dhe kompanive që bëhen pafundësisht të vlefshme.”

I pyetur se lidhur me blerjen e Twitter-it nga Musk, Gates tha: “E di, me Elon, mendoj se është e mundur që Twitter mund të jetë më keq. Por gjithashtu mund të jetë më mirë… Kështu që unë duhet të pres dhe të shoh qëndrimin.”

Gates ka një interes të veçantë për mediat sociale, jo sepse kështu i ka bërë miliardat e tij, por sepse përmes tyre është bërë fokusi i teorive konspirative.

Miliarderi i quajti të çmendura teoritë konspirative sipas të cilave ai kërkon të fusë çipe në trupat e njerëzve, për t’i përgjuar ata.

“Në disa mënyra, pothuajse duhet të qeshësh sepse është kaq çmenduri.”- thotë ai.

“Dua të them, a dua vërtet të përgjoj njerëzit? E dini, unë shpenzoj miliarda për vaksina, nuk bëj para për vaksinat, vaksinat shpëtojnë jetë.“- vazhdoi ai, duke treguar sa keq ishte ndjerë kur teoricienët e konspiracionit i kanë bërtitur në rrugë për këto akuza.

Gjatë kësaj interviste, Gates u pyet edhe lidhur me takimet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, që i ka konsideruar një gabim nga ana e tij.