Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: S’më njeh Komisioni i Rithemelimit? E ça pastaj…


Enkelejd Alibeaj ka thënë sot se nuk ka asnjë rëndësi se Komisioni për Rithemelimin e PD-së nuk e njeh dhe nuk e ka mandatuar për sa i përket negociatave për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ai tha se detyrimi i tij është të mbledhë grupin parlamentar dhe të dëgjojë deputetët lidhur me çështjen në fjalë.

“Kush nuk më njeh? Grupi i rithemelimit?. E ca pastaj? Nuk është ajo çështja kryesore. Grupi parlamentar duhet të ndjekë axhendën parlamentare dhe ka shumë çështje. Një fitore e vogël e banorëve të Rinasit që patën dhe mbështetjen e deputetëve tanë dhe arritën një fitore të vogël. Çështje të tjera janë ato të Komisionit të Posaçëm për të gjithë praktikat korruptive lidhur me investitorë strategjikë. Në pozicionin e kryetarit, kam detyrimin t’i thërras për të dëgjuar të gjithë deputetët, anëtarë të grupit parlamentar.” – tha Alibeaj.

Ky i fundit mori pjesë ditën e djeshme në mbedhjen e Konferencës së Kryetarëve lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Më herët Rama ka thënë se nuk negocion me grupin e ish-kryeministrit Berisha. Ndërsa ky i fundit ka thënë se Alibeaj nuk është mandatuar për të përfaqësuar PD-në në negociata.