Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet protesta e banorëve të Rinasit: Nuk duam të hapim kutitë e votimit, po rrugën


Mbyllet për sot protesta e banorëve të Rinasit të cilët kundërshtojnë kthimin e rrugës me një sens.

Banorët kanë paralajmëruar se do të rikthehen përsëri në protestë nesër, nëse nuk do të marrin asnjë zgjidhje.

Në një prononcim për mediet, kryeplaku i Rinasit tha se është mashtruar nga kreu i ARRSH-së se do gjendej një zgjidhje për situatën.

“Deri në këto momente ka qenë shumë e qetë. E përshkruat me këmbë rrugën. Këtu janë mbi 60 familje. Kërkesa jonë është që ato fëmijë të shkojnë në shkollë me këtë rrugë. Nuk ka rrugë tjetër. Nëse hapet një rrugë alternative ne tërhiqemi dhe iu kërkojmë ndjesë të gjithëve.

Nga të levizim ne? Ne kërkojmë që të funksionojë jeta normale, s’kërkojmë favor tjetër. Protesta do të përshkallëzohet, do mblidhen edhe komunitetet e tjera, nga Tapiza, Preza, Nikla. I bëj thirrje ashtu siç e dha urdhrin për ta bllokuar, ta zhbllokojë.

Unë s’dua të merrem me emra të përvecëm. Më mashtruan dhe mora premtim që do gjendej zgjidhje. Nesër e në vazhdim e deri sa të hiqen tabelat. Nuk duam të hapim kutitë e votimit, po rrugën. Sot duam të hapim vetëm rrugën.”– u shpreh Saba Muja.

Protestës së sotme iu bashkuan dhe mësues dhe prindër. Ata nuk janë dakord me vendimin e ARRSH-së që të ndjekin rrugë alternative, pasi sipas tyre janë rrugë që vetëm 10 familje mund të futen aty.