Vendosni fjalën kyçe....

“Suedia nuk arriti t’i integrojë emigrantët” – Kryeministrja e vendit


Ndarja në shoqërinë suedeze ka shkuar ‘shumë larg’ dhe integrimi i emigrantëve është ‘shumë i dobët’, pranoi kryeministrja Magdalena Andersson, pas trazirave të dhunshme atje në fillim të këtij muaji.

Trazirat shpërthyen pasi një politikan antimusliman, Rasmus Paludan, njoftoi një ‘turne’ për djegien e Kuranit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Trazirat çuan në arrestimin e dhjetëra personave, një shkollë të djegur dhe më shumë se 100 oficerë policie të plagosur, në një vend ku gjatë krizës së migracionit të vitit 2015, rreth 163,000 emigrantë kërkuan azil – më shumë persona për frymë se në çdo vend tjetër të BE-së.

Duke komentuar këto ngjarje gjatë një konference për shtyp, Andersson tha se ‘ndasitë janë lejuar të shkojnë aq larg’ dhe se ka rezultuar në shfaqjen e ‘shoqërive paralele’ në Suedi, që jetojnë në ‘realitete krejtësisht të ndryshme’.

Sipas mendimit të Andersson, integrimi ka qenë ‘shumë i dobët’ sepse shoqëria ishte e  papërgatitur dhe burimet e ofruara për policinë dhe shërbimet sociale kanë qenë të pamjaftueshme.

“Ne do të duhet të rivlerësojmë të vërtetat tona të mëparshme dhe të marrim vendime të vështira.” – u tha gazetarëve kryeministrja, e cili përfaqëson Partinë Social Demokrate Suedeze, e cila drejton vendin që nga viti 2014.

Ministri i Integrimit dhe Emigracionit Anders Ygeman, i cili foli në të njëjtën konferencë për shtyp, tha nga ana tjetër se çështja e krimit nuk mund të zgjidhet pa trajtuar problemin e ndarjeve. Prandaj, njoftoi ai, qeveria suedeze planifikon të prezantojë masa të mëtejshme për të forcuar policinë dhe për të siguruar kontroll më të mirë mbi sjelljen e të rinjve.