Vendosni fjalën kyçe....

Real Madrid shpallet kampion katër javë para fundit, fiton titullin e 35-të në La Liga


Real Madridi është kampion i La Ligas për edicionin 2021/22. “Los Blancos” arrijnë ta sigurojnë matematikisht titullin katër javë para fundit.

Ata sot në “Santiago Bernabeu” triumfuan 4:0 ndaj Espanyolit, në kuadër të javës së 34-të në La Liga duke e fituar titullin e 35-të në La Liga.

Ishte Rodrygo që e nisi festivalin e golave në minutën e 33-të të ndeshjes, pas asistimit nga Marcelo.

Ishte pikërisht Rodrygo që e shënoi edhe golin e dytë në minutën e 43-të

Asensio realizoi në minutën e 55-të për 3:0 pas asistimit nga Camavinga.

Golin e fundit e shënoi Karim Benzema në minutën e 81-të, i asistuar nga Vinicius Junior.

Me këtë fitore, Real Madridi e siguron edhe matematikisht titullin e kampionit.

“Los Blancos” momentalisht numërojnë 81 pikë në vendin e parë, 17 më shumë se Sevila dhe 18 më shumë se Barcelona, që e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Në anën tjetër, Espanyoli gjendet i 13-ti me 39 pikë të grumbulluara.