Vendosni fjalën kyçe....

Kongresmeni demokrat: Me apo pa Elon Musk, “Twitter”-i s’mund ta mbajë Trumpin larg nëse ai kandidon përsëri në 2024-ën


Marrëveshja e Elon Musk për blerjen e Twitter-it ka nxitur diskutimet në SHBA nëse ish-presidenti Donald Trump do të rikthehej në platformë.

Këtyre diskutimeve i është bashkuar edhe një ligjvënës demokrat i cili tha të martën se kompania me shumë gjasa duhet ta heqë pezullimin për Trump nëse ai kandidon për një mandat tjetër, pavarësisht se kush do të jetë pronari i saj.

“Nëse ai është kandidati republikan ose nëse ai është një kandidat i madh, unë mendoj se pavarësisht nëse është Elon Musk, mendoj se ndoshta çdokush në Twitter do ta kishte të vështirë të thoshte se atij personi duhet t’i mohohet qasja në platformë.”– tha kongresmeni Ro Khanna për CNBC.

Megjithatë kujtojmë se vetë Trump tha të hënën se nuk do të kthehej në Twitter edhe nëse Musk do të anulonte vendimin për ndalimin e tij nga platforma.

“Isha i zhgënjyer nga mënyra se si u trajtova nga Twitter. Nuk do të kthehem në Twitter.”- tha ish-presidenti për CNBC. Trump tha se në vend të Twitter-it ai do të jetë në rrjetin e tij të ri Truth Social, i cili është krijuar si një alternativë e fjalës së lirë ndaj platformave të mëdha.

Demokrati tha se ishte “e përshtatshme” që Twitter të pezullonte përkohësisht Trumpin për nxitje të dhunës pas kryengritjes së 6 janarit në Kapitol. Por ai vuri në dyshim idenë se Twitter do të ishte në gjendje të ruante ndalimin e përhershëm të llogarisë së ish-presidentit republikan.

“Unë thjesht nuk mendoj se ju mund të mbani një pretendent kryesor republikan jashtë një platforme nëse nuk ka, përsëri, veprime të këqija të përsëritura.”– tha Khanna.

Kongresmeni demokrat shtoi se Twitter-it do t’i duhet një plan se si të përballet me shkeljet e mëtejshme nga Trump nëse ai rikthehet.

“Pyetja është, nëse ai hyn në garë në 2024 dhe lejohet të kthehet, atëherë cilat janë masat mbrojtëse që thonë nëse nxitni përsëri dhunën, do të tërhiqeni.”– tha Khanna. “Por kam përshtypjen se vendimi do të merrej pavarësisht nëse do të ishte Elon Musk”.