Vendosni fjalën kyçe....

Raporti: Agresioni rus preku 610 fëmijë në Ukrainë


Gjithsej 217 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 393 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus.

Të paktën kështu ka deklaruar Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

“Më shumë se 610 fëmijë në Ukrainë janë prekur nga agresioni i armatosur rus. Deri më 27 prill 2022, numri i të vrarëve mbeti i pandryshuar (217 fëmijë). Numri i të plagosurve është rritur në më shumë se 393.”- thuhet në raportin e prokurorisë sipas Ukrinform.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, këto të dhëna nuk janë përfundimtare, pasi ato po hetohen në zonat e armiqësive, zonat e pushtuara përkohësisht dhe të çliruara.

Aktualisht, shumica e viktimave janë regjistruar në këto rajone: Donetsk (129), Kiev (114), Kharkiv (93), Chernihiv (66), Kherson (44), Mykolaiv (43), Luhansk (37), Zaporizhzhia (27), Sumy (17), Zhytomyr (15) si dhe në qytetin e Kievit (16).

Një fëmijë 9-vjeçar u plagos nga sulmet ruse në Mariupol më 20 mars 2022, si dhe një fëmijë 8-vjeçar më 23 mars 2022. Ata u dërguan në territorin rus për trajtim, ndërsa tanimë janë kthyer në Ukrainë dhe po trajtohen në Spitalin Kombëtar të Specializuar të Fëmijëve Ohmatdyt me bazë në Kiev.

Për më tepër, gjithsej 1 mijë e 508 institucione arsimore u dëmtuan në të gjithë Ukrainën si rezultat i sulmeve të përditshme ajrore dhe të artilerive të Rusisë. Sipas medieve ukrainase, 102 prej tyre u shkatërruan plotësisht.