Vendosni fjalën kyçe....

Balla njofton shtyrjen e procesit për presidentin e ri: Po i lëmë kohë opozitës, me Berishën s’ka negociata, ai nuk ekziston për ne


Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla në një prononcim për mediet ka theksuar se maxhoranca nuk do të ketë bisedime me Sali Berishën dhe Komisionin e Rithemelimit lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe për asnjë çështje tjetër. Ai deklaroi se nuk ekziston grupi parlamentar i Berishës.

“Sali Berisha nuk ekziston as si grup parlamentar.

Është një deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë. Sali Berisha nuk është një grup parlamentar. Me Sali Berishën as nuk ka, as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë.

Sali Berisha për ne nuk ekziston dhe me diçka që nuk ekziston nuk ke pse negocion. Unë di që në Kuvendin e Shqipërisë ekzistojnë të depozituara si grupe parlamentare ai i Alibeajt, Doda dhe Mediu. Ky është një proces ekskluziv brenda mureve të Kuvendit të Shqipërisë.”- u shpreh Balla.

Në këtë komunikim për mediet, Balla bëri me dije se procesi për presidentin e ri do të shtyhet për javën tjetër. Sipas tij kjo shtyrje bëhet që të gjitha grupet parlamentare të marrin kohën e tyre për të reflektuar mbi emrin që do mbështesin.

“Konferenca e kryetarëve mbahet me 4 maj. Unë do të propozoja që 10 maji të jetë data për raundin e parë të votimit të presidentit. Kjo shtyrje është për të qartësuar procesin. Të gjitha grupet parlamentare duhet të merrnin kohën e nevojshme për të reflektuar. Me rëndësi është që të kemi një president për të unifikuar unitetin e popullit. Koha është e mjaftueshme që deri javën tjetër të jetë një kohë për të qartësuar mënyrën e negocimit për profilin e presidentit të republikës.”-tha Balla.

Po ashtu, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së theksoi se afati deri kur do ta presin opozitën është 24 Maji.

“Duke qenë se kjo javë u shty takimi që njoftuam me shoqërinë civile, do të shtyhet për javën tjetër, ftesa ime është që në atë takim të jemi bashkë me tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, zotin Alibeaj, zonjën Doda dhe zotin Mediu. Aftët këtu i ka vendosur kushtetuta, 24 maji si datë që procesi të ketë filluar, por ai është afati i fundit, do ishte pa vend që raundi i parë të bëhej një ditë para datës së fundit, besoj se është afat i mjaftueshëm, secila palë ka pas kohën e nevojshme, e dimë që Presidenti zgjidhet në maj, kështu që ka pasur kohë mjaftueshëm secila palë.”– tha Balla.