Vendosni fjalën kyçe....

Pas Kinës edhe Rusia zbulon planet për monedha dixhitale


Banka e Rusisë njoftoi të enjten se planifikon të ketë gati rublën dixhitale deri vitin e ardhshëm dhe të aftë për të bërë pagesa ndërkombëtare. Ajo synon gjithashtu të zgjerojë numrin e vendeve që pranojnë kartat bankare ruse Mir.

“Rubla dixhitale është ndër projektet parësore.” – tha Guvernatorja e Bankës Qendrore Elvira Nabiullina në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

“Ne kemi krijuar mjaft shpejt një prototip. Tani po bëjmë teste me bankat dhe vitin e ardhshëm në mënyrë të përshkallëzuar do kemi transaksione pilot.” – shtoi ajo.

Koncepti i një monedhe kombëtare dixhitale u zbulua nga Banka e Rusisë në fund të vitit 2020. Forma e re e parasë pritet të bashkëjetojë me paratë e gatshme. Ndryshe nga monedhat virtuale si Vitcoin, rubla dixhitale parashikohet të përbëjë rrezik minimal pasi do të emetohet nga rregullatori monetar shtetëror dhe do të mbështetet nga paratë tradicionale.

Nabiullina tha gjithashtu se Moska synon të zgjerojë numrin e vendeve që pranojnë kartat bankare Mir, pasi korporatat ndërkombëtare Visa dhe MasterCard i janë bashkuar sanksioneve perëndimore, duke pezulluar operacionet në Rusi. Sistemi kombëtar i pagesave Mir u nis nga Banka Qendrore në vitin 2015.