Vendosni fjalën kyçe....

Çuçi mbledh drejtorët e policisë: Forconi kontrollet kundër kanabisit, ai mjekësor nuk ka lidhje me kultivimin masiv


Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi së bashku me anëtarë të tjerë të këtij dikasteri kanë zhvilluar sot një takim me drejtorët e Policisë së qarqeve, Tiranë, Durrës, Elbasan, Dibër dhe Korçë.

Mësohet se fokusi i diskutimit të tyre është lufta ndaj kanabisit, ku Çuçi ka kërkuar forcimin e kontrolleve dhe tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit.

“Sot ishte për të bërë një analizë me drejtorin e Përgjithshëm dhe të gjithë drejtorët dhe shefat e komisariateve. Bëmë një analizë të planit të 4 mujorit të parë dhe lamë detyrën për 4 mujorin e ardhshëm. Fokusi është parandalimi i kultivimit të kanabisit. Këtu tolerance është zero.”- është shprehur ministri Çuçi.

Ai ka kërkuar që të mos lejohet krijimi i idesë që legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore do të thotë kultivim masiv.

“Nuk kanë lidhje fare me njëra tjetrën. Ia përmenda të gjithë strukturave. Nuk ka asnjë lidhje. Përkundrazi do të shtojmë kontrollet që të mos abuzojë askush qoftë i keqkuptuar qoftë duke përdorur një mundësi për të rritur kultivimin. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm nuk ka të bëjë fare me kanabisin industrial.”-ka thënë ministri.

Pas këtij takimi, Çuçi dhe anëtarë të tjerë të ministrisë do të zhvillojnë një takim të ngjashëm në Fier.