Vendosni fjalën kyçe....

Kumbaro thirrje bizneseve: Plehrat do hidhen me orar, qeveria do financojë një operator shtesë në menaxhimin e mbetjeve


Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me bizneset e sektorit të turizmit në qytetin e Kavajës, në prag të nisjes së sezonit turistik.

Gjatë fjalës së saj, Kumbaro u kërkoi bizneseve që t’i hidhnin mbetjet e tyre me orar, sipas grafikëve të përcaktuar nga bashkitë.

“Brenda lejes mjedisore që hotelet kanë marrë për të ushtruar biznesin e tyre, kanë edhe detyrimin e menaxhimit të mbetjeve dhe ky kontroll do të jetë i rreptë këtë sezon nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, prandaj është shumë e rëndësishme ta mbajmë këtë komunikim.

Kërkojmë respektimin e orareve që do të vendosë bashkia për t’ua marrë juve mbeturinat në vendin e caktuar me qëllim që bizneset të mos i shkarkojnë në çdo orë të ditës mbetjet te koshat. Koshat janë për familjarët dhe ndotësit më të mëdhenj në fakt nuk janë familjarët, por bizneset.”- shtoi Kumbaro.

Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Kavajës Redian Krajli dhe kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako, Kumbaro tha se në të dy bashkitë do të ndërhyhet me forca shtesë për pastrimin e vijës bregdetare gjatë 3 muajve të verës.

“Bashkia Kavajë dhe Bashkia Durrës kanë marrë një financim suplementar këtë vit për të përballuar menaxhimin e integruar të mbetjeve që nga mbledhja nëpër kosha deri në pikën fundore në landfill dhe së treti të dyja bashkitë janë pjesë e një instrumenti të posaçëm financiar që përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të ndihmohen me një operator shtesë të financuar nga buxheti i shtetit me qëllim shtimin e kapaciteteve pastruese për pjesën e plazhit gjatë sezonit.”- u shpreh ministrja duke paralajmëruar kontrolle nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Ministrrja foli edhe në lidhje me aplikimin për stacionet e plazheve. Ajo tha se sistemi nuk do të hapet për herë të dytë dhe se parcelat të cilat mbeten te lira do të kalojnë automatikisht në plazhe publike.