Vendosni fjalën kyçe....

Popullariteti i kancelarit gjerman bie në nivelin më të ulët që prej zgjedhjes


Gati gjysma e gjermanëve janë të pakënaqur me punën e kancelarit Olaf Scholz, ka zbuluar një sondazh i fundit. Sipas sondazhit, popullariteti i kreut të qeverisë gjermane është në pikën më të ulët që kur u betua në dhjetor 2021.

Sondazhi i kryer nga anketuesi gjerman ‘Insa’ dhe i porositur nga gazeta ‘Bild am Sonntag’ tregoi se rreth 49% e të anketuarve nuk janë të kënaqur me mënyrën se si Scholz po e bën punën. Sipas ‘Bild am Sonntag’, ky është niveli më i ulët i miratimit që ka pasur kancelari që kur mori detyrën më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

38% e gjermanëve të anketuar thanë se ishin të kënaqur me punën e Scholz. Sa i përket qeverisë së koalicionit që drejton Gjermaninë, ai nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e 55% të të anketuarve, ndërsa pjesa e mbetur prej 35% e miraton atë.

Për të matur qëndrimin e publikut, studiuesit anketuan 1002 gjermanë të enjten e kaluar.

Një sondazh më i fundit i kryer nga anketuesi ‘Civey’ për median ‘Der Spiege’l midis 17 dhe 19 prillit tregoi se vetëm 25% e gjermanëve e konsiderojnë Scholz-in një lider të fortë. 42% e të anketuarve thanë se mendonin se kancelarit i mungonin cilësitë e një lideri të fortë, ndërsa 23% të tjerë anuan drejt të njëjtit vlerësim.

‘Der Spiegel’ vuri në dukje, megjithatë, se Scholz ishte ende relativisht i popullarizuar në mesin e mbështetësve të partisë së tij Social Demokrate (SPD), me 65% të njerëzve në atë grup që miratonin punën e tij. Ky sondazh është bazuar në opinionet e 5065 gjermanëve.