Vendosni fjalën kyçe....

Meta nis vizitat në komunat arbëreshe në Kalabri: Duhen ndërmarrë sa më shumë nisma konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh


Presidenti Ilir Meta nisi sot një vizitë zyrtare disa ditore në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri.

Sikurse bëhet me dije nga një njoftim i Presidencës, ndalesa e parë e Metës ishte në Civita, ku u mikprit ngrohtësisht nga dhjetëra qytetarë të këtij vendbanimi arbëresh, nga Kryebashkiaku Alessandro Toci, si dhe autoritetet më të larta vendore.

“Shumë i lumtur të vizitoj këtë qendër të rëndësishme të bashkësive arbëreshe, që frymëzon përherë një frymë të madhe atdhedashurie dhe krenarie për historinë, traditën, kulturën dhe trashëgiminë e popullit shqiptar.” – nënvizoi Presidenti.

Gjatë fjalës së tij, Meta vuri në dukje se duhen ndërmarrë sa më shumë nisma konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh, duke shtuar kontributin tonë në regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe, Moti i Madh, në UNESCO, dhe duke ngritur një Instituti të Kulturës Shqiptare në Romë.

“Në gati 6 shekuj, falë arbëreshëve kemi ende fjalët: ‘arbër’, ‘arbëresh’, ‘Arbëri’ dhe ‘Albani’ dhe ne krenohemi me përkushtimin tuaj për ta ruajtur të gjallë gjuhën, kulturën, traditën dhe ritet arbëreshe. Por aktualisht po përballemi me disa sfida, si fenomeni i humbjes së gjuhës së folur arbëreshe, veçanërisht në brezat e rinj, që po shpërngulen nga trevat arbëreshe.

Duhen ndërmarrë sa më shumë nisma konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh, duke shtuar kontributin tonë në regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe, Moti i Madh, në UNESCO, dhe duke ngritur një Instituti të Kulturës Shqiptare në Romë.

Komuniteti arbëresh, të cilit Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, është projektimi ynë i përbashkët, i shkëlqyer, në Europën e Bashkuar. Ata mbeten modeli ekselent i të qenit pjesë përbërëse e së tërës të bashkuar, duke ruajtur dhe trashëguar karakteristika të identitetit të origjinës historike.

Është i rëndësishëm nënshkrimi i një Protokolli të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Rajonit Kalabri, sipas atij ekzistues me Rajonin e Pulias, dhe atë të propozuar me Rajonin e Siçilisë.

Përfshirja e Kalabrisë së bashku me Bazilikatën (edhe kjo me vendbanime e popullsi arbëreshe) në strukturën e makro-rajonit Adriatiko-Jonian, ku bëjnë pjesë edhe rajonet e Pulias dhe Molizes, përveç pëfitimeve zhvilluese dhe ekonomike, do të shërbente si një instrument ndërlidhës nga pikëpamja kulturore edhe arbëreshët e Kalabrisë dhe të Basilicatas me arvanitasit, pasi edhe Kroacia është pjesë e makrorajonit.

Moti i Madh, propozuar në listën e trashëgimisë së UNESCO-s, ka mbështetjen e plotë të autoriteteve shqiptare.” – theksoi Kreu i Shtetit shqiptar.

Gjatë kësaj vizite, Meta nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” shkrimtarin dhe publiçistin e spikatur arbëresh, profesorin Vincenzo Bruno.

“Me vlerësim të lartë për kontributin e çmuar në fushën e gjuhësisë e letërsisë, nëpërmjet krijimtarisë së vyer me publikime të pasura në gjinitë e teatrit, poezisë, romaneve e gazetarisë, si dhe në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Me mirënjohje të veçantë për promovimin me pasion të ‘çështjes arbëreshe’, nëpërmjet shkrimeve arbërisht-italisht, duke i shërbyer kultivimit dhe në të mirë të vazhdimësisë të ruajtjes së saj.”– u shpreh ai.

Meta tha se Bruno është një zë i rëndësishëm për botën arbëreshe dhe ka kryer shumë shkrime mbi realitetin kulturor e gjuhësor historik të arbëreshëve të Italisë.