Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati për kryetar të PD-së në Kukës tërhiqet nga gara: Procesi është i manipuluar, lista e votuesve problematike


Komisioni i Rithemelimit në PD i cili po organizon zgjedhjet në degët e kësaj partie në të gjithë vendin është akuzuar nga kandidati për kryetar në Kukës, Irel Elezi se po zhvillon një proces të manipuluar.

Elezi është tërhequr nga gara dhe pretendon se lista e sjellë nga Tirana për Kukësin ka probleme dhe në të janë hequr disa nga anëtarët e vjetër dhe janë shtuar mbi 200 emra të rinj.

Ai i ka bërë thirrje anëtarëve që të reagojnë dhe mos pranojnë të votojnë nëse vërejnë shkelje.

Pas verifikimit që i kam bërë listës kam parë që në listën e zgjedhësve janë mbi 200 emra të rinj dhe shumë demokratë që kanë kontribut 30 vjeçare ne PD nuk janë në listën e sjellur nga Tirana. Kam kërkuar sipas normave dhe statutit të partisë regjistrin e anëtarësimit të këtyre emrave të rinj. E kam kërkuar në fillim të procesit për të parë nëse është gjithçka konform statutit. Nuk më kanë vënë në dispozicion listën dhe kanë refuzuar sqarimet. Kërkesa ime është marrë parasysh vetëm pasi jam tërhequr nga gara. Emri im nuk duhet të figurojë më në listë.

E konsideroj procesin të manipuluar dhe ju bëj thirrje të gjithë demokrateve se aty ku vëreni shkelje e paligjshmëri reagoni dhe mos pranoni të votoni”-deklaroi Elezi.

Pas tërheqjes së Irel Elezit në garë është vetëm Admir Sinamati në procesin që ka nisur prej orës 8:00.