Vendosni fjalën kyçe....

Mediet perëndimore: Putini ka emëruar komandant të ri për Ukrainën


Zyrtarët perëndimorë besojnë se presidenti rus Vladimir Putin ka emëruar një gjeneral të ri për të drejtuar luftën në Ukrainë, ndërsa ushtria e tij ndryshon planet pas dështimit për të marrë Kievin.

Zyrtarët e pa identifikuar i thanë CNN-it se gjenerali i ushtrisë Alexander Dvornikov, komandant i Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë, është emëruar në krye të fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

“Kjo flet për një pranim rus se po shkon jashtëzakonisht keq dhe se ata duhet të bëjnë diçka ndryshe.”- citohet të ketë thënë zyrtari evropian për CNN.

Një komandant i ri me përvojë të gjerë luftarake mund të sjellë një nivel koordinimi ndaj një sulmi që tani pritet të fokusohet në rajonin e Donbasit, në vend të fronteve të shumta.

Dvornikov, 60 vjeç, ishte komandanti i parë i operacioneve ushtarake të Rusisë në Siri, pasi Putin dërgoi trupat e tij atje në shtator të 2015-ës për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad. Gjatë komandës së Dvornikov në Siri nga shtatori 2015 deri në qershor 2016, avionët rusë mbështetën regjimin e Asadit dhe aleatët e tij ndërsa rrethuan Alepon lindore të kontrolluar nga rebelët, duke bombarduar lagje me popullsi të dendur dhe duke shkaktuar viktima të mëdha civile. Qyteti ra në duart e forcave qeveritare siriane në dhjetor 2016.