Vendosni fjalën kyçe....

Bluza e Maradonës në finalen mitike ndaj Anglisë pritet të shitet për 5.23 milionë dollarë në ankand


Fanella e veshur nga Diego Maradona kur ai shënoi dy nga golat më të famshëm në historinë e futbollit u hodh në ankand të mërkurën, por shitja e saj u ndërlikua nga pretendimet nga familja e tij se në ankand kishte dalë fanella e gabuar.

Maradona veshi fanellën me numrin 10 në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986 kundër Anglisë në Meksikë. Gjashtë minuta pas pjesës së dytë, ai kaloi Argjentinën në avantazh duke e çuar topin në rrjetë, një gol i njohur si ‘Dora e Zotit’.

Vetëm katër minuta më vonë ai dribloi nga gjysmëfusha e Argjentinës për të shënuar një gol të shkëlqyer që rregullisht kryeson sondazhet si goli më i madh në historinë e Kupës së Botës.

Mesfushori i Anglisë, Steve Hodge, mori fanellën e Maradonës pas ndeshjes dhe njoftoi të mërkurën se do ta nxirrte në ankand pas 19 vitesh të ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Futbollit të Anglisë.

Organizatorët e ankandeve me bazë në Londër ‘Sotheby’s’ pret që fanella të shitet për të paktën 4 milionë stërlina (5.23 milionë dollarë).

Megjithatë, vajza dhe ish-gruaja e Maradonës hodhën dyshime mbi vërtetësinë e fanellës duke thënë se Hodge mori fanellën që Maradona kishte veshur në pjesën e parë, jo atë që kishte veshur kur shënoi golin.

“Nuk është fanella që kishte veshur babai im në pjesën e dytë.” – tha Dalma Maradona në radion Metro.

“Unë e di me siguri që ai nuk e ka dhe e di kush e ka.” – shtoi ajo.

Sotheby’s tha se ata përdorën teknologjinë e përshtatjes së fotografive për të përputhur ‘përfundimisht’ fanellën me të dy golat duke ‘ekzaminuar hollësi unike në elementë të ndryshëm të fanellës, duke përfshirë copën, vijat dhe numrin’.

Por, ish-gruaja e Maradonës, Claudia Villafane, deklaroi se ishte ‘fjala e atij ish-lojtari kundër tonës’ dhe tha se Hodge nuk kishte nevojë të shiste veshjen historike.

“Unë nuk mendoj se atij i duhen paratë, përveç nëse e nxjerr në ankand për një qëllim të mirë.” – tha ajo për gazetën Clarin.

“Do të ishte mirë nëse Federata Argjentinase e Futbollit do ta blinte atë.”

Reuters nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar në mënyrë të pavarur pretendimet e familjes.

Që kur vdiq nga një arrest kardiak në nëntor 2020, familja e Maradonës është përfshirë në një sërë skandalesh dhe betejash gjyqësore në lidhje me trashëgiminë e tij.

Ish-sulmuesi 60-vjeçar i Napolit dhe Boca Juniors konsiderohet gjerësisht si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe është një hero për miliona njerëz në mbarë botën, dhe veçanërisht në Argjentinë. Ankandi online zhvillohet nga data 20 prill deri më 4 maj.