Kryeministri Rama ka deklaruar sot se Shqipëria do legalizojë prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Ai e bëri pohimin gjatë prezantimit të rezultateve të pyetësorit të Këshillimit Kombëtar. Prezantimi i pyetësorit me 12 pyetje u bë nga drejtoresha e Agjencisë për Dialog e Bashkëqeverisje, Eridiana Cano.
Sipas kreut të qeverisë, pritet që këshillimi kombëtar të kthehet në traditë ndërsa në vitet në vijim qytetarëve do u jepet më shumë mundësi që të marrin pjesë edhe në hartimin e pyetjeve. Sipas raportit të prezantuar nga Rama, qytetarët janë shprehur kundër pasaportës së vaksinimit, pro legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore e pro Ballkanit të Hapur.
Po kështu qytetarët janë shprehur pro aministisë për kursimet e emigrantëve, pro dënimit të gjyqtarëve të korruptuar, e pro ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për sa u përket procesit të çeljes së negociatave për integrimin në BE.
Pyetjeve që tjera të cilave qytetarët u janë përgjigjur pro janë mbrojtja e shtetit ndaj personave që denoncojnë pagat fiktive, ndihmë speciale ndaj nënave me fëmijë të mitur.
“Do të legalizojmë kanabisin dhe do hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveç rritjes së aspektit teknologjik, ç’ka kanë thënë qytetarët, do të realizohet.” – tha Rama.