Vendosni fjalën kyçe....

“Më 8 janar do vritet një deputet” – GJKKO ia kalon çështjen e Spartak Brahos Gjykatës së Tiranës


Gjykata e Posaçme ka shpallur moskompetencën lidhur me shqyrtimin e padisë për “shpifje” të Komisionit të Rithemelimit kundër Spartak Brahos dhe dosja tashmë i ka kaluar Gjykatës së Tiranës.

Kujtojmë se ish-deputeti socialist u padit lidhur me një deklaratë të tij për mediet, ku pretendonte se gjatë tubimit 8 janarit rrezikohej jeta një deputeti me inicialet E.A., duke nënkuptuar këtu Enkelejd Alibeajn.

“Mos të keni iluzion se nuk do të ketë dhunë. Do të ketë nga këta që edhe nuk përmbahen, nga të dhënat që kam unë mund të ketë edhe vrasje. Një personalitet deputet, me inicialet…, rrezikon të vritet nesër. Berisha nuk bën dot pa gjak. E.A, të ruhet, këtë këshillë i jap të ruhet nesër.”- ishte deklarata e fortë e Brahos e cila bëri shumë zhurmë.

Sipas GJKKO, Braho nuk ka pasur mandatin e deputetit në kohën kur e ka bërë këtë deklaratë dhe për këtë arsye padia duhet të shqyrtohet nga gjykata e Tiranës.

Komisioni i Rithemelimit e akuzoi Brahon për shpifje përmes një padie të depozituar në SPAK nga deputeti Flamur Noka. Ishte kjo deklaratë e Brahos që nxiti Gardën të shtonte masat e mbrojtjes për Alibeajn.