Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet pronari i një call center-i në Durrës, procedohen penalisht katër punonjës


Pronari i një call center-i në Durrës është arrestuar ndërsa katër punonjës janë proceduar penalisht.

Sipas policisë personat në fjalë dyshohet se përfitonin shuma monetare nëpërmjet mashtrimit me platformat elektronike.

Ky nuk është rasti i parë që ka të bëjë me arrestime në këtë industri.

Me dhjetëra raste janë zbuluar në Tiranë që dyshohet se përdorin platformat elektronike për të mashtruar qytetarë të ndryshëm jashtë vendit. Kjo ka çuar në arrestime e procedime penale në disa raste.

Njoftimi

“Goditet një tjetër rast i përfitimit të shumave monetare nëpërmjet mashtrimeve me anë të platformave elektronike. Vihet në pranga administratori i subjektit që kryente këtë veprimtari kriminale, duke e mbuluar me aktivitetin e call center. Procedohen penalisht 4 shtetas.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Call me”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Call me 3”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit M. M., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryente mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E. B., F. S., E. D. dhe A. D.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.