Vendosni fjalën kyçe....

Rusia thotë se Evropa duhet “të kthjelltohet nga burboni amerikan”


Përmirësimi i marrëdhënieve midis Rusisë dhe Evropës është ende i mundur, por kjo do të ndodhë vetëm kur kjo e fundit “të kthjelltohet nga burboni amerikan” dhe të shpëtojë nga ndikimi i SHBA-së. Kështu tha të shtunën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Gjithmonë ka zgjidhje. Nga çdo konfrontim, nga çdo situatë e vështirë, ka gjithmonë rrugëdalje.”- tha Peskov për mediat ruse.

Megjithatë ai pranoi se marrëdhëniet Rusi-BE, nuk ka gjasa të përmirësohen në të ardhmen e afërt.

Moska pret që kjo të ndodhë vetëm kur Evropa të kuptojë se ajo, dhe jo SHBA-ja, është përgjegjëse për fatin e saj.

“Kur evropianët të kthjellohen pak nga burboni amerikan dhe kur më në fund të kuptojnë se ne duhet të kujdesemi vetë për fatin e kontinentit tonë, Evropës, ndoshta edhe Euroazisë, atëherë do të ndodhë – kjo nuk është një çështje për të ardhmen e afërt – por atëherë do të vijë koha për një rivlerësim të marrëdhënieve tona.”- tha Peskov.

Marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Moskës dhe BE-së hynë në një spirale në rënie pasi Moska filloi një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në Ukrainë në fund të shkurtit. Evropa u përgjigj me një valë masive sanksionesh të reja anti-ruse, duke synuar sektorët financiarë dhe energjetikë të Rusisë, duke censuruar median dhe duke ndërprerë lidhjet e udhëtimit.