Vendosni fjalën kyçe....

Dashnor Sula shpërndan videon e deputetes së PS-së: Gënjeu në Kuvend për vajin në Gjermani


Deputeti i PD-së Dashnor Sula ka publikuar një video nga fjala në parlament e koleges së PS-së, Pranvera Resulaj, e cila shprehej në seancën e kaluar se një familje në Gjermani sot nuk mund të blejë më shumë se një litër vaj në javë, për shkak të krizës financiare.

Por Sula thekson se deputetja e Partisë Socialiste ka gënjyer, duke zbuluar një komunikim që ka patur me një qytetar që jetonte në Gjermani.

 “Teoria gënje, gënje se diçka do mbetet.

Dje ishte një seancë e gjatë parlamentare me në fokus krizën që ka prekur vendin. Orët e gjata të qëndrimit në Parlament e kishin ulur pak vigjilencën. Por deklarata e një prej deputetëve të PS  ishte aq e pavërtet saqë shkaktoi regime edhe përtej Shqipërisë.

Me kompetencë të plot duke theksuar se ka edhe 30 vite eksperiencë si ekonomiste ajo tha se kriza ka prekur botën dhe se në Gjermani një familje nuk mund të blej më shumë se 1 litër vaji në javë.

Gënjeshtër e paskrypull. Këta harrojnë se jetojmë në botën e teknologjisë dhe ndonëse më parë thuhej se gënjeshtra zgjat tre ditë, tani nuk zgjat as 5 minuta.

Të shashtisur nga deklarata e deputetes së PS, një shqiptar që jeton në gjermani më shkroi: ‘Nuk është e vërtetë që një familje në Gjermani mund të blej vetëm 1 litër vaji në javë. Sipas një rregullore që është vendosur për supermarketet një person nuk mund të blejë më shumë se 3 litra vaji, 3 kg miell. Por nuk ka asnjë ndalesë që i njëjti person të kthehet pas dy orësh apo një ore në të njëjtin supermarket për të blerë të njëjtën sasi. Po ashtu nuk ka asnjë kufizim që personat e tjerë të familjes të blejnë të njëjtën sasi në të njëjtën ditë. Po ashtu një person mund të shkojë në supermarkete të ndryshme dhe mund të kryej blerje’, më tha një shqiptar që jeton në Gjermani, vendin që mori shembull deputetja.”- shkruan deputeti demokrat.

 

 

Sula shtoi se një tjetër deklaratë e gënjeshtërt ishte ajo e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj se një gallon nafte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kushtonte 6 dollarë.

“Gënjeshtra tjetër në parlament dje ishte nga kabineti qeverisës ku u tha se një gallon naftë në SHBA dje kushtonte 6 dollarë.

E pavërtetë edhe kjo. Në të vërtet 1 gallon karburant dje në SHBA kushtonte 3. 67 dollarë.

Ju lutem ndalojeni fushatën e gënjeshtrave. Shqiptarët nuk jetojnë në kohën e komunizmit që të jenë të izoluar nga çdo informacion. Mos përhapni panik dhe mos ndihmoni oligarkët që të rrisin çmimet!”- shkruan Sula.