Vendosni fjalën kyçe....

Ndihmonte Astrit Thaçin t’i shpëtonte policisë, arrestohet 20-vjeçarja në Durrës


Një vajzë 20-vjeçare është vënë në pranga nga policia e Durrësit, pasi akuzohet se ka bashkëpunuar me Astrit Thaçin, personin që akuzohet për një seri grabitjesh në Tiranë, Durrës e Elbasan.

E reja me inicialet A.B, banuese në Tiranë, dyshohet se ndihmonte Thaçin për t’i shpëtuar forcave të Policisë.

“Në vijim të operacionit “Trajektorja”, zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, operacioni ka vijuar edhe paraditen e sotme.

Mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë nga veprimet proaktive të kryera, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen A. B., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.

Kjo shtetase dyshohet se e ka përkrahur shtetasin A. Th., duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.– thuhet në njoftimin e policisë.

27-vjeçari Astrit Thaçi, u arrestua pas grabitjes së argjendarisë në Elbasan pak ditë më parë, ndërsa policia e akuzon edhe për një sërë grabitjesh të tjera me armë.

Të paktën tetë vjedhje janë dokumentuar në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, e mes tyre përfshihet edhe grabitja në filialin e një banke të nivelit të dytë në Durrës.  I riu rezulton i dënuar në Itali me 7 vite burg për të njëjtat akuza.