Vendosni fjalën kyçe....

Tenderët e anuluar, në vitin 2021 vlera e procedurave ishte 150 milionë euro


Procedurat e prokurimit që janë hapur në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik gjatë vitit 2021 dhe janë anuluar pa arritur në një kontratë finale kishin vlerën 150 milionë euro.

Raporti vjetor i APP paraqet se vlera e këtij fondi limit është më i ulët sesa vlera e vitit paraardhës për procedurat që kanë pasur të njëjtën status.

“Rezulton se në vitin 2021, nga 5079 procedura të shpallura për t’u zhvilluar në sistemin e prokurimit elektronik, 1042 janë anuluar me vlerë 18,620,051,244 lekë, ndërkohë që në vitin 2020 numri total i procedurave të anuluara ishte 1490 procedura me vlerë 24,952,656,712 lekë.

Pra, siç vërehet numri dhe vlera e procedurave të anuluara në vitin 2021 janë më të ulëta se numri dhe vlera e procedurave të anuluara në vitin 2020. E shprehur kjo në përqindje rezulton se në vitin 2021 numri i procedurave të anuluara është 30% më pak se në vitin 2020.” – thuhet në raport.

Të marra në analizë për shkaqet që kanë çuar në anulim të procedurave APP nënvizon se “për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik” është ajo që dominon.

Për këtë shkak janë anuluar plot 691 procedura ndërkohë që më pas vijnë shkaqe të tjera si rastet kur asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit apo kur Komisioni i Prokurimit Publik vendos anulimin e procedurës ose kur nuk është paraqitur asnjë ofertë brenda afateve kohore.

“Nga analizimi i objekteve të procedurave të anuluara rezulton se, mbi 57% të anulimeve të procedurave me lote i takojnë procedurave për blerje të medikamenteve dhe materialeve të shërbimit shëndetësor, ku kryesisht janë anuluar ato lote që prokurohen për sasi me vlera të vogla të medikamenteve. Një pjesë e konsiderueshme e procedurave të anuluara i takon edhe shërbimit të transportit për mësues dhe nxënës.

Megjithëse numri i procedurave të anuluara në vitin 2021 ka ardhur në ulje, duhet të vijojë puna me Autoritetet Kontraktore që të marrin masa për të shmangur sa më shumë problematikat që çojnë në anulimin e procedurave të prokurimit, me qëllim rritjen e eficencës së procesit.” – nënvizon APP./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor