Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari Blinken ‘përgënjeshtron’ presidentin Biden: S’kemi strategji për ndryshimin e regjimit në Rusi (Video)


Diplomati kryesor i Amerikës ka këmbëngulur se presidenti Joe Biden nuk donte të sugjeronte se Uashingtoni synon të rrëzojë Vladimir Putinin si udhëheqës të Rusisë, duke ritheksuar pohimeve e mëparshme se SHBA-ja nuk ka një strategji të fshehtë për regjimin në Moskë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i bëri komentet e tij në një konferencë shtypi të dielën në Jerusalem, disa orë pasi Biden habiti jo pak gjatë një fjalimi emocional në Varshavë për operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Biden tha për Presidentin Putin: “Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet.”

Një zyrtar i paidentifikuar i Shtëpisë së Bardhë u përpoq shpejt të sqaronte pozicionin e SHBA-së, duke thënë se qëllimi i Bidenit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi vendet fqinje. Të dielën, Blinken vazhdoi përpjekjet për të hequr dorë nga komentet e Biden.

“Unë mendoj se presidenti, Shtëpia e Bardhë, theksoi mbrëmë se, thjesht, presidenti Putin nuk mund të fuqizohet për të zhvilluar luftë ose për t’u përfshirë në agresion kundër Ukrainës apo dikujt tjetër,” u tha Blinken gazetarëve.

“Siç e dini, dhe siç na keni dëgjuar të themi vazhdimisht, ne nuk kemi një strategji të ndryshimit të regjimit në Rusi apo kudo tjetër.”

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu përgjigj fjalimit të Biden, duke thënë: “Nuk i takon presidentit të SHBA dhe amerikanëve të vendosin se kush do të mbetet në pushtet në Rusi. Vetëm rusët, të cilët votojnë për presidentin e tyre, mund ta vendosin këtë.”

Gjatë vizitës së tij në Izrael, Blinken pretendoi se ishte dakord me këtë pozicion, duke thënë: “Në këtë rast, si në çdo rast, varet nga njerëzit e vendit në fjalë. Varet nga populli rus.”