Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama detyroi INSTAT-in që të nxjerrë shifrat e Këshillimit Kombëtar në shkelje të ligjit, qeveria po merr kompetencat e Parlamentit


Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi në Kuvend shifrat e rreme që nxjerr INSTAT.

Nga foltorja e Parlamentit, Berisha tha se Rama të dhënat që mbledh nga Këshillimi Kombëtar ia vendos në dispozicion INSTAT-it dhe nga këtu prodhohen shifra statistikore të cilat konsiderohen si shifra zyrtare.

Berisha tha se INSTAT është shndërruar de facto në një institucion papagall të Edi Ramës.

Sipas Berishës, INSTAT-it nuk mund t’i besohet për inflacionin, pasi ai raporton shifrën që i jep qeveria.

Ish-kryeministri theksoi se duhet të marrë fund marrja e kompetencave të Parlamentit nga qeveria.

“Me një vendim nr.813 datë 24.12.2021, Edi Rama detyron mbledhjen, përpunimin, publikimin e të dhënave të Këshillimit Kombëtar nga INSTAT-i. Dhe e shpall këtë si një statistikë zyrtare. Mirëpo, ligji i statistikave të vendit, të drejtën e prodhimit të statistikës ia njeh tre institucioneve në Shqipëri, INSTAT, Ministrisë së Financave dhe Bankës Kombëtare. Jo me ligj, por me vendim Qeverie, e drejta e prodhimit të statistikës i ngarkohet agjencisë së mashtrimit kombëtar, agjencisë së sondazheve false, të Don Agaçios dhe Edi Ramës. Dhe kjo përbën një shkelje flagrante, kërcënim të madh të pozicionit të INSTAT në raport me EUROSTAT.

Mos harroni se Europa të gjitha statistikat që prodhon Shqipëria i merr nga INSTAT, duke besuar se ky institucion nuk varet nga qeveria. Neni dhe ligji ngarkon drejtorin që të operojë në përputhje të plotë me ligjin e Parlamentit. Pa marrë asnjë autorizim nga Parlamenti ka marrë përsipër përpunimin e mashtrimit të agjencisë mashtruese dhe servirjen e tyre tani si tregues të besueshëm statistikorë. Kjo është statistika e mashtrimit. Por nga ana tjetër, se janë bërë investime të mëdha në atë institut dhe gjithnjë ai ka rëndësi shumë të madhe për politikat e vendit. 

Kërkoj urgjentisht ndërprerjen e çdo lidhje midis institutit të statistikave dhe agjencisë së mashtrimit të qeverisë shqiptare. I bëj thirrje EUROSTAT me urgjencë të konsiderojë bashkëpunimin e tij me institutin e statistikave të Shqipërisë, të shndërruar tashmë në një instrument të verbër të qeverisë shqiptare, në dhunim flagrant të ligjeve të këtij vendi, por edhe të marrëveshjeve të mirëbesimit që instituti ka me EUROSTAT. Duhet të marrë fund njëherë e mirë marrja e pushtetit të parlamentit nga qeveria. Dëgjova zotin Dule të flasë për regjistrimin. Kush mund t’i besojë një regjistrimi të tillë nga ky institut? Askush! Nuk i beson dot në të dhënat demografike, të dhënat sociale, nuk i beson dot në asgjë. Ai është shndërruar de facto në një papagall të Edi Ramës. Kush i beson inflacionit të këtyre? Ata japin shifrën që i jep qeveria. Të ndërpritet urgjentisht dhënia e inflacionit nga ky institut dhe Ministria e Financave dhe t’i kalojë ekskluzivisht Bankës së Shtetit, sepse po mjeroni qytetarët me gënjeshtrat tuaja.

Një inflacion që është mbi 20% shpallet 7% dhe si kompensim marrin inspektimet e çmimeve nga ministrat e pashpirtë. S’ka nevojë të shkoni në dyqan për të mësuar sa janë çmimet. Po ju kujtoj një moment të vitit ’92. Bukës iu rrit çmimi me 10 herë, por kompensuam 10-fishin e rritjes së çmimit për çdo qytetar. Energjia ka çmim të rregulluar, dakord, por shporta nuk ka çmim të rregulluar, ka çmim të kompensuar. Kaq shumë i keni futur duart, keni krijuar monopole rreth vetes, sa tani apo po iu përpijnë. Qytetarët shqiptarë e kanë të qartë që rritja e çmimeve është qeveritare, për shkak të monopoleve të krijuara. Nuk shpëtoni dot duke u bërë personazhet e gogolit. Hiqni monpolin, hiqni vjedhjet, tregoni mëshirë për qytetarët dhe më pas krijoni statistikat që doni. Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe shkatërrimin që i bëhet institutit të statistikave. Kërkoj urgjentisht ndërprerjen e çdo bashkëpunimi pa autorizim dhe ligj të Parlamentit mes agjencisë së mashtrimit të qeverisë shqiptare dhe institutit të statistikave. Përndryshe, ne do të detyrohemi të bëjmë të gjitha demarzhet tona pranë PE, instancave të tjera që askush të mos besojë asnjë të dhënë nga statistikat që prodhoni”-deklaroi Berisha.