Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: Çdo marrëveshje me Rusinë do hidhet në referendum


Ndërsa la të kuptohet për përparim në bisedimet me Rusinë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se çdo kompromis ‘historik’ për të cilin negociatorët e tij do bien dakord, do i nënshtrohej miratimit nga i gjithë vendi në një referendum.

“Ua shpjegova të gjitha grupeve negociuese. Kur flisni për të gjitha këto ndryshime, dhe ato mund të jenë historike, ne nuk do të shkojmë askund pa i çuar më parë në një referendum”, tha Zelensky për transmetuesin publik ukrainas në një intervistë.

“Populli do të thotë fjalën e tij dhe do të japë përgjigjet e tij për një lloj kompromisi apo tjetër. Përsa i përket asaj se çfarë do të jenë këto negociata, kjo është çështje e bisedave tona midis Ukrainës dhe Rusisë”, shtoi presidenti.

Zelensky po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me kërkesat e Rusisë për garanci sigurie për dy republikat e Donbasit dhe për njohjen e Krimesë, gadishullit që votoi për t’u bashkuar me Rusinë në 2014, të cilin Kievi dhe Perëndimi vazhdojnë ta konsiderojnë territor ukrainas.

Më herët gjatë ditës, Rusia hodhi poshtë ofertën e Zelenskit për një takim të drejtpërdrejtë me presidentin Vladimir Putin, duke thënë se bisedimet nuk kishin bërë ‘asnjë përparim të rëndësishëm’.