Vendosni fjalën kyçe....

Shtëpia e Bardhë zbulon pse Biden nuk do e vizitojë Ukrainën


Mundësia e vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Ukrainë ‘nuk u hulumtua’, por kishte disa arsye pas vendimit për të mos shkuar ‘në një zonë lufte’, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Ne nuk e kemi shqyrtuar këtë mundësi,” tha Psaki kur u pyet gjatë konferencës për shtyp nëse ishte konsideruar një udhëtim në Ukrainë. Ajo shkroi në Tëitter të dielën për të bërë të qartë se Biden ‘nuk ka plane të udhëtojë në Ukrainë’.

Zëdhënësja tha se për çdo president, udhëtimi në një zonë lufte kërkon jo vetëm konsiderata të sigurisë, por ‘një sasi të madhe burimesh në terren’.

“Por gjithashtu presidenti ndjeu se ai mund të kishte udhëtimin më efektiv dhe më me ndikim duke thirrur këto takime me liderët e NATO-s, G7-ës, BE-së në Bruksel për të përcaktuar si vazhdimësinë e koordinimit ushtarak, atë humanitar dhe atë ekonomik,” shtoi Psaki.

Biden është planifikuar të marrë pjesë në samitin e NATO-s dhe takime të tjera në Bruksel më 24 mars. Të nesërmen, ai do të shkojë në Varshavë për një takim me homologun e tij polak, Andrzej Duda për të diskutuar përgjigjen ndaj “krizës humanitare dhe të të drejtave të njeriut krijuar nga konflikti në Ukrainë, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson planifikon të bëjë një vizitë ‘rrufe’ në Kiev, edhe pse shërbimet e tij të sigurisë po e këshillojnë kundër udhëtimit, mes përkeqësimit të situatës së sigurisë në kryeqytetin ukrainas, sipas Daily Mail.