Vendosni fjalën kyçe....

HEC Fierza drejt gjumit fatal, Zoti na ndihmoftë


Nga Klodian Gradeci

Sipas Dhjatës së Vjetër tek “zanafilla”, Zoti thirri profetin Noah, e udhëzoi të ndërtonte një arkë dhe të përgatitej për katastrofën. Nëse do të ndodhte ndryshe, zanafilla do të na tregohej se si Zoti e rikrijoi botën pa Noah-n dhe më pas çdo gjë e ligë u shfaros dhe ai vendosi një besëlidhje të re me njeriun.

Aktualisht, situata energjitike është në momentet e saj më kritike dhe së shpejti do mbërrijmë në nivelet më të ulëta historike të prodhimit në kaskadën e Drinit.

Niveli në HEC Fierzë është 256 mmnd dhe rezerva energjitike ështe me e ulëta që ka patur ndonjëherë liqeni Fierzës.

Do të duhej një dhuratë nga Zoti që të sillte prurje të tilla që të garantonin furnizimin e pandërprerë me energji dhe të realizonim parashikimin për vitin në avancë të rezervës energjitike mbështetur në mesataren shumëvjeçare për muajin Prill. Sipas mesatares shumëvjeçare në muajin Prill niveli në Fierzë duhet të jetë rreth 285 mmnd. 

“Nëse do të kacavirreshim të dëshpëruar për t’u kapur në Arkën e Noah-s’, ndoshta do i shpëtonim dallgës së parë, por me gjasa jo atyre që do pasonin”. Por as këtë nuk e bëmë edhe pse lajmësit e kishin paralajmëruar. KESH përdori rezervën pa filluar kriza akoma e cila nuk dihet sa zgjat.

Është praktikë e konsoliduar që KESH sh.a. bën përllogaritjen e prurjeve me siguri gati 95% dhe mundësia e hyrjes me kuotë mbi 290 në fund të muajit Maj është vetëm në dorë të Zotit. Ata që duhet të tregoheshin të vëmendshëm i kishin sytë dhe veshët nga  lufta dhe harruan punët e përditshme. Sot se çfarë niveli do kemi në verë nuk e di kush. Madje ne, nuk  dimë çfarë do kemi në 1 Prill e jo më aq larg…deri në verë.

Sot, ato historitë e treguara për fallxhore filxhani, mund të iluzionojnë, por gjuha  mos e kuvenduar për këtë realitet krize po na rrënon.

Mund të ketë ustallarë, që ndoshta kanë këshilluar se zgjidhje është importi. Pjesërisht edhe ndoshta. Kostoja e furnizimit mund të jetë rreth 3.5 milionë Euro në ditë ose rreth 300 milionë Euro për periudhën Prill-Dhjetor 2022.

Një kosto shtesë do jenë edhe shërbimet ndihmëse, të cilat KESH nuk do mund t’i ofrojë dhe do e nxirrte tërësisht të ekspozuar me disbalanca të mëdha bllokun e kontrollit Shqipëri -Kosovë duke ndikuar negativisht në regjimin e punës dhe frekuencën e rrjetit  sinkron evropian.

Shpërdorimi rezervës energjitike gjatë periudhës së emergjences energjitike dhe mosblerja e energjisë për periudha 1 vjecare në skedulime baseload mund të bëhej vetëm nga gallofët. Më e pakta do kishim fituar 10-15 m kuotë dhe energjinë do e blinim me 150 Euro MWh përfshirë dhe kapacitetet në transmetim dhe jo me 250 Euro, sa e kemi blerë mesatarisht.

Madje mund të përdornim të njëjtën procedurë që zbaton Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Çmimi i bursës është transparent dhe tregtarët ofertojnë vetëm tarifën e shërbimit. Por si zakonisht mbetemi kampion i komplikimit të gjërave të thjeshta. Thënë më shkoqur, kuota ku gjithçka ndalon është 240 mmnd. Nëse s’ka shi llogaritë i bëni vetë.

“Mjerush e duke vuar, përshpëris”, o prill ti mos ardhsh kurrë, që na rrëzove flamur.