Vendosni fjalën kyçe....

Rusia pranon përdorimin e armëve hipersonike: Shkatërruam depon e municioneve nëntokësore të Ukrainës


Forcat e Armatosura të Rusisë kanë njoftuar se kanë shkatërruar depon e municioneve nëntokësore të Forcave të Armatosura të Ukrainës me raketa hipersonike “Kinzhal”, duke pranuar kështu edhe përdorimin e këtyre armëve në luftën me vendin e tyre fqinj.

Sikurse raporton TASS, Forcat e armatosura të Federatës Ruse shkatërruan një depo të madhe nëntokësore të raketave dhe municioneve të aviacionit të trupave ukrainase në fshatin Delyatyn duke përdorur sistemin raketor të aviacionit Kinzhal me raketa aeroballistike hipersonike.

Këtë e ka bërë të ditur në një deklaratë për mediet, përfaqësuesi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, gjeneralmajor Igor Konashenkov.

“Më 18 mars, sistemi raketor i aviacionit Kinzhal me raketa aeroballistike hipersonike shkatërroi një depo të madhe nëntokësore të raketave dhe municioneve të aviacionit të trupave ukrainase në fshatin Delyatyn, rajoni Ivano-Frankivsk.“- tha Konashenkov.

Më herët, Rusia asnjëherë nuk ka pranuar se ka përdorur raketa hipersonike gjatë luftimeve.

Forcat e Armatosura Ruse kanë shkatërruar rreth 200 mjete ajrore pa pilot dhe më shumë se 1400 tanke dhe mjete të tjera të blinduara që nga fillimi i operacionit në Ukrainë.

“Në total, që nga fillimi i operacionit ushtarak special, 196 mjete ajrore pa pilot ukrainas, 1,438 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 145 raketa-hedhës të shumëfishtë, 556 artileri fushore dhe mortaja, si dhe 1,237 njësi mjetesh speciale ushtarake janë shkatërruar.”- tha gjeneralmajori.